Haskuka: Shkarkova drejtorin e Nisma-s se s’më mori seriozisht

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se Drejtori i Arsimit në Prizren nuk i mori parasysh vërejtjet e tij për parregullsitë në procesin e rekrutimit të mësimdhënësve.

Haskuka në “Dossier D” në RTV Dukagjini, thotë se vendimi që prishi koalicionin Vetëvendosje-Nisma në Prizren ishte i paralajmëruar nga ana e tij dhe për të ai thotë se posedon emailat.

I pari i Prizrenit thotë se prej dy vitesh në Prizren janë paraqitur probleme në rekrutimin e mësimdhënësve dhe sipas tij në konkursin e fundit ka pasur ankesa të mëdha nga kandidatët për mësimdhënës, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Komunës  së vetme që administrohet nga Vetëvendosje thotë se themelimi i komisioneve për rekrutimin e mësimdhënësve është formuar duke shkelur rregulloren dhe thotë se ka kërkuar nga Drejtori i Arsimit që të anulojë procesin e përzgjedhjes së mësimdhënësve dhe të fillojë gjithçka nga e para por sipas tij ai nuk i është bindur për çka edhe e ka shkarkuar.

“E hëna ka qenë dita e fundit për të rregulluar komisionet dhe për të filluar proceset e intervistimit nga e para por ai nuk e ka bërë këtë dhe kërkesën time nuk e ka marrë seriozisht. Të martën e kam thirrë në zyre ja kam nënshkruar vendimin për shkarkim dhe i kam thënë të largohet nga zyra”.

Haskuka thotë se drejtorët në komuna janë edhe këshilltarë të kryetarëve të komunave, dhe ai thotë se ata emërohen me një nënshkrim dhe shkarkohet poashtu nga një nënshkrim i kryetarit.

“Është e drejtë e kryetarit të shkarkojë një drejtor….Asgjë nuk do të ndodhë. Nuk ka panik këtu. Javët e ardhshme do të emërojë drejtorët e ri dhe përfundon kjo punë”, tha ndër të tjera Mytaher Haskuka.