Mund ta rinisë, duke stërvitur David Alabën. Besnik Hasit i është ofruar stoli i kombëtares austriake dhe ai është një nga kandidatët seriozë për të pasuar Marsel Kolerin në bankinë, i cili pritet të largohet në fund të vitit pas dështimit për të kualifikuar përfaqësuesen në Botërorin e Rusisë. Burime të sigurta i bëjnë me dije “Panorama Sport” se mes Hasit dhe kombëtares austriake janë vendosur edhe kontaktet e para.
Është pikërisht drejtori sportiv i kombëtares austriake, Peter Shëtel, ai që i ka kërkuar ish-trajnerit të Olimpiakosit disponueshmërinë e tij për të marrë drejtimin e skuadrës përfaqësuese. Një Task Forcë ka përpiluar një listë me emrat e kandidatëve të mundshëm të disponueshëm për të marrë stolin e kombëtares dhe Shëtel e ka atë në duart e tij. Mediat austriake zbulojnë se nga kjo listë, që ka edhe emrat e dy bavarezëve, Torsten Fink dhe Matias Zamer, do të zgjidhet edhe trajneri i ri brenda dy javëve të ardhshme. Gjithnjë sipas tyre, dëshira e parë e bordit të federatës është Fink, por problemi është që ata duhet të paguajnë 500 mijë euro që të prishin kontratën e tij me Austrinë e Vjenës. OFB dëshiron që ta shpallë trajnerin e ri brenda 30 tetorit dhe Task Forca që do ta zgjedhë atë përbëhet nga presidenti Vindtner, drejtori Nojhold dhe sekretarët e përgjithshëm Holerer dhe Markus Kraetshmer. Kandidatë të tjerë të përfolur janë edhe Franko Foda, Andreas Hercog dhe Peter Shtëger, trajneri i Këlnit në Bundesligë.
Ndwrkohw, edhe Hasi ka një problem financiar për të zgjidhur përpara se të bëjë zgjedhjen e tij të ardhshme në karrierë. I njëjti burim, konfirmoi për “Panorama Sport” se ai është ende duke negociuar zgjidhjen e kontratës me ish-klubin e tij Olimpiakosin. Hasi kishte një kontratë 2-vjeçare me rekordmenët helenë, por ata e shkarkuan pa kaluar as 4 muaj. Presidenti Evangjelos Marianaqis i detyrohet trajnerit 45-vjeçar rreth 600 mijë euro, shifër të cilën ish-trajneri i Anderlehtit duhej ta merrte pas një viti. Ditët e fundit është përfolur për një rikthim të tij në Belgjikë, në stolin e Kortrijk, por një lajm i tillë, me sa duket, ka qenë vetëm një spekulim i shtypit belg.