Besnik Hasi është shumë pranë kthimit në drejtimin e një klubi futbolli, pas eksperiencave jo shumë të lumtura në vitet e fundit te Legia e Varshavës dhe Olimpiakos. Hasin e kërkojnë në Belgjikë, atje ku ai u bë i famshëm fillimisht si futbollist, e më pas më pas si trajner dhe vlerësimi për të është maksimal.
Ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare është kontaktuar së fundmi nga klubi tek i cili u bë i njohur në arenën ndërkombëtare, Genk, ku Hasi ka luajtur si futbollist mbi 140 ndeshje nga viti 1994, deri në vitin 2000 duke u shpallur kampion në sezonin 1998-1999.
Klubi i Genk ka shkarkuar dje trajnerin Albert Stuivenberg, i cili nuk po arrinte të kthente skuadrën pranë majave të klasifikimit të kampionatit, për të luajtur për titull apo për pjesëmarrjen në Kupat e Europës në edicionin e ardhshëm pasi Genk aktualisht gjendet në vendin e 9 me 23 pikë pas 18 ndeshjesh. Sipas mediave belge, drejtuesit e klubit janë në kontakte të vëzhdueshme dhe duan t’i besojnë drejtimin Hasit, i cili kërkon një projekt të ri në një vend ku rreth tij ka besim të plotë, jo si në eksperiencat e mëparshme jashtë Belgjikës.
Emri i Hasit është përmendur vazhdimisht si një prej kandidatëve të mundshëm për të marrë drejtimin e Shqipërisë dhe së fundmi edhe të përfaqësueses së Kosovës.