Një nga talentët e rrallë që ka vendi jonë është dhe aktori me origjinë nga Tetova, Hasim Memishi i njohur me nofkën Sopi. Djaloshi me energji të jashtëzakonshme vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon mbi fillimet në aktrim dhe sfidat me të cilat përballet ai dhe shumë kolegë të tij në këtë profesion.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ndiheni duke qenë se jeni një nga aktoret dhe personazhet më të njohur e më të dashur shqiptarë?
Falemnderit për vlerësimin, është kënaqësi e madhe të jesh i dashur dhe i respektuar nga publiku. Unë gjithmonë shpërndaj energji pozitive dhe e njejta mendoj se më kthehet edhe nga publiku apo thënë më mirë nga fansat, gjithandej ku ka shqiptarë shumica prej tyre ndalen dhe më përshëndesin, citojnë ndonjë gjë që iu ka ngelë në mendje nga projektet e mia, është sinqerisht ndjenjë e vecantë.
KOHA: Ndienë nostalgji nga koha para shumë vitesh kur ka pasur shumë xhirime e projekte e tash që gjërat kanë ndryshuar?
Nostalgjia është për ata që kanë moshë më të shtyrë, unë mendoj se ende nuk kam mbërritur te ajo pjesë, sidoqoftë njeriu kur është më i ri shumë gjëra i ka hobi e shumë pak profesion, në skecet tona që i kemi xhiruar para 15 viteve kurr nuk kemi menduar për pjesë financiare, sepse atë kohe aktrimin më shumë e kemi patur hobi se sa profesion, sidoqoftë unë mendoj se tani ka më shumë projekte, por më pak vullnet dhe energji për punë.
KOHA: Ke xhiruar edhe nëpër kohëra të vështira, megjithatë ia ke dal me shumë sukses?
Po kemi xhiruar në kohën kur në Maqedoni kishte shumë pak projekte, kemi xhiruar me vetë iniciative, dhe shumica e gjërave që i kemi bërë, i kemi punuar me aq përkushtim sa që edhe sot e kësaj ditë shikohen nga të rinjtë, kurr nuk kemi punuar për para, por kemi punuar që të bëjmë gjëra të mira dhe këtë gjë e vlerëson më së miri publiku që e kemi gjithandej.
KOHA: Si është raporti me kolegët tuaj në vend dhe në rajon, mban kontakte me to për ndonjë bashkëpunim në projektet e rradhës?
Raportet i kam shumë të mira me të gjithë kolegët, nuk jam tip që bëj zënka apo biseda jo të këndshme dhe për këtë arsye kam raporte shumë të mira pothuajse me të gjithë kolegët në mbarë trojet shqiptare.
KOHA: Fëmijërinë e ke kaluar në …..?
Fëmijërinë e kam kaluar në fshatin Llërcë, atje ku edhe kam mbaruar shkollën fillore, ka qenë fëmijëri pa rrjete sociale dhe pa celular, sidoqoftë ka qenë fëmijëri me plot lojëra nga më të ndryshmet.
KOHA: Si ka ndikuar fëmijëria dhe jeta juaj deri më tani në formimin e karakterit dhe identitetit tënd?
Po prej në fëmijëri jam njohur si person që shpërndaj energji pozitive, mendoj se hapat e parë i kam marë në shkollë fillore dhe shumë gjëra kanë ndikuar në atë kohë për formimin e karakterit tim.
KOHA: Cila ishte profesioni i ëndërruar para se të bëhesh aktor?
Në fëmijëri shumica e fëmijëve hobi kryesor e kanë futbollin, ne kemi qenë një grup i madh që kemi luajtur futboll për cdo ditë, kjo gjë ka zgjatur disa vite, unë në atë kohë kam menduar dhe kam patur dëshirë të madhe që të bëhem futbollist, edhe pse sot jam vetëm një shikues i rregullt i futbollit, fans i madh i klubit Shkëndija dhe Real Madridit
KOHA: Rolet që keni luajtur e reflektojnë personalitetin tënd?
Jo, pjesa më e madhe e roleve që kam luajtur s`kanë të bëjnë fare me përsonalitetin tim, sidoqoftë ne jemi profesionist dhe duhet të luajmë çdo rol që na besohet nga regjisorë të ndryshëm.
KOHA: Për mendimin tend, çfarë e bën aktorin me role të bukura dhe të veçanta?
Vetëm puna dhe përkushtimi i madh mund të bëjnë role të vecanta, po nuk iu qasëm profesionit me një përkushtim të madh, suksesi nuk do të vij asnjëherë.
KOHA: Cili është çelësi i suksesit?
Unë mendoj se suksesi nuk ka celës, suksesi është punë përmanente apo sic thotë Ëinston Churchill “ Suksesi është që të kalosh nga dështimi në dështim, pa e humbur entuziazmin.
KOHA: Një ditë e jotja pushim si është?
Zakonisht kur nuk kam punë për të bërë zgjohem në ora 9, pij një kafe në mëngjes dhe pjesën më të madhe të ditës ua kushtoj vajzave të mija Jonës dhe Verës, sidomos Jonës e cila është pesë vjecare dhe kërkon shumë kohë për dëshirat e saja dhe mundohem gjithmonë t`ia plotësoj.
KOHA: Sa përkrahje kanë artistët në vendin tonë?
Mendoj se përkrahja nga publiku është mesatare, kurse nga institucionet minimale, sidoqoftë artistët duhet të punojnë sa më shumë që këtë gjë ta maksimalizojnë.
KOHA: Ka ndodhur ndonjëherë që jeni zhgënjyer nga përkrahja institucionale?
Pyetja duhej parashtruar ndryshe: a kam qenë ndonjëherë i kënaqur nga përkrahja institucionale, hehe
KOHA: Planet për të ardhmen?
Unë jam aktor i punësuar në Teatrin e Tetovës dhe planet teatrore i bën teatri, kurse sa i përket asaj pjesës jo institucionale kam në plan që “StandUp Sopi’ ta perfomoroj jashtë Maqedonisë së veriut, kryesisht në disaporë, në fund të nëntorit do të shkoj në SHBA në një trajnim për krijuesit e opinionit dhe ndikimin e rrjeteve sociale në masë, gjithashtu nga janari pres të nis një emision satirik në një television nacional.