Besnik Hasi nuk po kalon një moment të mirë në Greqi sepse mediat, tifozët por edhe zyrtarë brenda klubit të Olimpiakos nuk e shikojnë me sy të mirë një shqiptar në bankinën e skuadrës më të titulluar të Greqisë. Kualifikimi në fazën e grupeve të “Champions League” është harruar shumë shpejt prej armiqve të shqiptarit që pas dy barazimeve në kampionat dhe humbjes në fazën e grupeve të “Champions League” kundër Sportingut të Lisbonës i numëron mbështetësit e tij me gishtat e njërës dorë.
Gjithsesi, jo i gjithë ambienti është kundër trajnerit shqiptar të Olimpiakos pasi media më e klikuar online “Gazzetta.Gr” ka publikuar një editorial të specialistit Kostas Vemaqis, i cili mbron pa kushte trajnerin e bardhekuqve. Dy testet e radhës për Hasin janë derbi i Athinës në “OAKA” kundër AEK-ut dhe më pas transferta e vështirë e Torinos kundër Juventusit. Në editorialin e portalit helen, Vemaqis sulmon gjithë gazetarët kritikë të shqiptarit, duke theksuar se ata presin me padurim që Hasi të dështojë për t’i dhënë goditjet e radhës. “Në fillim kur erdhi siguroi kualifikimin evropian u kthye në një yll dhe pas dy barazimeve dhe një humbjeje papritur u bë prapë shqiptar. Po nëse fiton derbin ndaj AEK-ut, çfarë do të thonë sërish kanibalët?”, shkruan me jo pak ironi gazetari grek. Pas 4 javëve të para të Superligës Greke, Olimpiakos mban vendin e dytë me 2 pikë më pas se AEK-u që do të presë të dielën skuadrën kampione në një test të rëndësishëm për Hasin dhe skuadrën e tij.