Seiko Hashimoto e Japonisë është emëruar presidentja e ardhshme e Tokyo 2020, pasi paraardhësi i saj u largua për shkak të komenteve seksiste. Ish-Ministrja e Olimpiadës është vetë një ish-pjesëmarrëse Olimpike, pasi ka konkurruar si një çikliste dhe një patinatore me shpejtësi, raporton BBC. Ish presidenti Yoshiro Mori dha dorëheqje pasi ai u citua të thoshte se gratë flasin shumë.
Fillimisht u propozua një tjetër udhëheqës mashkull për ta zëvendësuar atë, por kjo gjithashtu u prit me protesta. Bordi i Komitetit Olimpik Japonez aktualisht ka 24 anëtarë, pesë prej të cilëve janë gra. Mori kishte komentuar më herët që nëse numri i anëtarëve femra të bordit rritet, atyre do t’u duhet të “sigurojnë që koha e tyre e të folurit të kufizohet disi, ato do të kenë vështirësi të mbarojnë, gjë që është e bezdisshme”.
Ai më vonë kërkoi falje për “deklaratën e tij të papërshtatshme” dhe shtoi se përparësia ishte të siguroheshin që Lojërat Olimpike të mbaheshin në korrik. Zonja Hashimoto tha të enjten se ajo kishte dhënë dorëheqjen nga roli i saj si ministre Olimpike për të marrë postin e saj të ri si presidente e Lojërave të Tokios. Lojërat Olimpike Verore do të fillojnë në 23 korrik, pasi tashmë janë shtyrë me një vit për shkak të pandemisë.
Kush është Seiko Hashimoto?
- 56-vjeçarja ka shërbyer si ministre e Lojërave Olimpike të Japonisë.
- Ish-atletja ka marrë pjesë në shtatë Olimpiada – duke garuar në patinazh të shpejtë në katër Lojëra Dimërore dhe çiklizëm në tre Lojëra Verore. Në vitin 1992, ajo fitoi një medalje bronzi në garën e patinazhit të shpejtë 1,500m për femra në Albertville, Francë.
- Prindërit e saj thuhet se e quajtën atë me emrin “Seika”, që përkthehet në “pishtar olimpik” në japonisht.
- Me lindjen e vajzës së saj në 2000, zonja Hashimoto ishte politikania e parë në Japoni që mori lejen e lindjes ndërsa ishte në detyrë – diçka për të cilën ajo bëri fushatë kur ishte shtatzënë. Ajo gjithashtu u bë ligjvënësja e parë që lindi gjatë mbajtjes së detyrës.
- Ajo është e martuar me një polic dhe është nënë e gjashtë fëmijëve, për tre prej tyre është njerkë.