Idetë e Thaçit për korrigjime kufijsh mund të frikësoj pa nevojë Shkupin zyrtar dhe popullatën maqedonase dhe kjo i bie që zoti Thaçi tërthorazi po kujdeset për ruajtjen e sovranitetit territorial të Maqedonis. Jo pak maqedonas nëpër institucione dhe jashtë tyre, të frikësuar nga këto ide, po mobilizohen që të votojnë në referendum pro integrimit në NATO
Nga Emin AZEMI
Idetë e Hashim Thaçit për “korrigjim kufijsh” kanë frikësuar jo pak maqedonas nëpër institucione dhe jashtë tyre, të cilët po mobilizohen që të votojnë në referendum pro integrimit në NATO, si refuzim ndaj ideve që ripërkufizojnë kufijtë rajonal. Presidenti i Kosovës ndoshta nuk do të mundet t’ia bashkëngjisë Kosovës, Luginën e Preshevës, por një është e sigurt se me idetë e tija të fundit i ka motivu të mendojnë shumë kundërshtarë të referendumit në Maqedoni, të cilët e kanë kuptuar se vetëm përmes integrimeve euroatlantike mundet të ruhet tërësia e pacenueshme e Maqedonisë.
Kjo i bie që zoti Thaçi tërthorazi po kujdeset për ruajtjen e sovranitetit territorial të Maqedonisë, paçka se sovraniteti i Kosovës mundet të vihet në pikëpyetje, nëse idetë e tija vërtetë realizohen. Kështu është kur politikanët si Thaçi, pavetëdijshëm bëhen të dobishëm për të tjerët dhe të dëmshëm për vetveten. Madje, ka të ngjarë që në një të afërt jo të largët, një medalje për merita mund t’i jepet pikërisht Hashim Thaçit, duke e ngritur figurën e tij në rangun e heronjve modern maqedonas të ruajtjes së Maqedonisë nga fryma dezintegruese e fragmentuese territoriale e etnike. Fundja, po shihet dhe po vërtetohet edhe historikisht, se jo pak personalitete shqiptare, sikur janë të prirur që të punojnë për kauza të të tjerëve, qoftë edhe tërthorazi.
Nuk e di se sa këshilltarët e Hashimit e ndjekin shtypin maqedonas, por sikur të ndodhte kjo, ata sigurisht do ti sugjeronin shefit të tyre të jetë më koherent me idetë që plason, sepse ato jo rrallë mund të shkaktojnë efekte të papritura, për të mos thënë efekte bumerangu. Nëse në të kaluarën pavarësia e Kosovës u mbështet dhe u njoh edhe nga Shkupi zyrtar, që pat shkaktuar njëfarë konflikti të tërthortë me Beogradin, tani kjo pavarësi mund të rrezikohet nga brenda dhe relativizohet nga jashtë, falë amatorizmave presidencialë që ndodhin vetëm atëherë kur një politikan është i shkëputur totalisht nga konteksti rajonal i zhvillimeve politike.
Idetë e Thaçit për korrigjime kufijsh mund të frikësoj pa nevojë Shkupin zyrtar dhe popullatën maqedonase dhe me këtë të komplikojë marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ruajtja e tërësisë së pacenueshme të territorit të Maqedonisë u bë edhe në saje të politikave pragmatike të shqiptarëve dhe në këtë pikë ata kanë treguar mençuri dhe largpamësi, që në instancë të fundit ka ndihmuar jo drejtpërdrejt edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Sikur politika e shqiptarëve në Maqedoni të ndiqte manire që po shfaq aktualisht Presidenti i Kosovës, do të rrezikohej jo vetëm paqja e stabiliteti i Maqedonisë por do të vihej në pikëpyetje edhe njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, sepse rajoni nuk mund të shikohet i fragmentuar si proces dhe si zhvillim.
Askush nuk beson, madje as vetë zoti Thaçi se mund të ndodhë ajo çka ai po e propagon nëpër konferenca shtypi. Në të kundërt të kësaj, në Maqedoni mund të forcohet edhe më tepër ndjenja e shtetësisë tek maqedonasit, të cilët përmes efekteve që sjell frika (qumështi) në kojshi, i fryejn kosit, duke u bërë, kështu, pavetëdijshëm, kujdestarë të sovranitetit, i cili, për hir të së vërtetës nuk është kah cenohet nga askush, dhe më së paku nga shqiptarët. (koha.mk)