Bujar KURTAJ
Shkup, 9 tetor – Përfaqësuesja e Maqedonisë pas barazimit (1-1) të madh kundër Italisë në Torino, sonte në stadiumin “Mlladost” në Strumicë do të zhvillon ndeshjen e fundit kualifikues për Kampionatin Botëor, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Rusi.
Djemtë e seleksionuesit Igor Angellovski përballë do të kenë Lihtenshtajnin, në të cilën ata nuk duhet të kenë probleme për të shënuar fitore. Për këtë sfidë, Angellovski në dispozicion do të ketë të rinjtë, Nikolla Gjorgjev e Elif Elmas, të cilët rikthehet në ekipin senior pas sfidës së zhvilluar për Maqedoninë U21 kundër Serbisë, derisa në kombinim do të jetë edhe Arian Ademi, ndërsa në vend të Velkoskit të lënduar, pritet të luajë Kire Markoski, i cili mungoi për shkak të kartonëve në sfidën ndaj Italisë në Torino kurse për shkak të kartonëve të verdhë do të mungojë Stefan Spirovski.
Njëri prej katër futbollistëve shqiptar që ishte pjesë e barazimit historik ndaj Italisë, Ferhan Hasani për gazetën KOHA thotë se përballjen e fundit ndaj Lihtenshtajnit ta përmbyllin me fitore.
“Na pret ndeshja e fundit e këtij cikli kualifikues ku pa dyshim ne duam ta mbyllim me fitore. Hyjmë me atmosferë shumë të mirë por edhe me një rezultat 1-1 në fushë të Italisë, natyrisht që ka ngritur motivin dhe vetëbesimin në skuadër. Përkundër faktit që luajmë me Lihtenshtajnin, mendoj që nuk do të jetë ndeshje e lehtë sepse kësaj radhe ne do të duhet të krijojmë raste, të bëjmë lojën dhe të shënojmë fitore. Respektojmë ata si gjithë të tjerët. Do të dalim të bëjmë maksimumin me shpresë se fitorja dhe tre pikët do të vijnë me një lojë tjetër të bukur, që do të jetë një motiv për të ardhmen”, deklaroi Hasani.
Fitore ndaj Lihtenshtajnit shpreson edhe i riu Elif Elmas. “Është një nder që të jesh në mesin e këtyre futbollistëve. E dini që luajtëm në mënyrë të shkëlqyeshme kundër Italisë dhe arkëtuam një pikë të madhe dhe tani duhet të përballemi me Lihtenshtajnin, ku ne jemi në rolin e favoritit. Shkojmë që të shënojmë fitore, si edhe në çdo takim tjetër dhe shpresojë se në Strumicë do të jemi më të mirë dhe do të arkëtojmë 3 pikët”, tha Elmas.
Përballja Maqedoni-Lihtenshtajni, do të zhvillohet sonte (e hënë) në orën 20.45 në stadiumin “Mlladost” në Strumicë.