Shkup, 25 shkurt – Pobeda dhe Shkupi kanë zhvilluar një ndeshje të “çmendur” në të cilën u shënuan gjashtë gola, një penallti humbën bardhekaltërit, ndërsa u tregua edhe një karton i kuq, derisa ndeshja u zhvillua në kushte jashtëzakonisht të rënda, ku fusha ishte e mbuluar me borë. Edhe pse Shkupi me anë të Tipuriq dhe Adem kishte epërsi prej 0-2, nikoqirët nuk u dorëzuan dhe me golat e Najdovskit dhe në dy herë Geshovskit përmbysën rezultatin në 3-2. Për një pikë për FC Shkupi u përkujdes turku Emre Xhan. Ndryshe me këtë barazim Shkupi zbret në pozitën e pestë me gjithsej 26-të pikë, ndërsa Pobeda gjendet në pozitën e nëntë me 20-të pikë.
Lideri aktual Shkëndija nuk lejoi befasi dhe me rezultatin minimal 1-0 mundi Akademija Pandevin. Edhe në këtë ndeshje kishte befasi, pasi kuqezinjtë humbën dy penallti, fillimisht kapiten Hasani dhe më pas sulmuesi Besart Ibraimi. Por, në fund nëpërmjet kapitenit Ferhan Hasani, djemtë e trajnerit Qatip Osmani shënuan fitore dhe njëkohësisht arritën të shkëputen nga konkurrenti i tyre i vetëm Vardar në plot 11-të pikë. Cekim, kuqezinjtë këtë ndeshje nga minuta e 21 luajtën me një futbollist më pak, pasi Fazllagiq pas një ndërhyrje të rëndë ndaj Gancev, u ndëshkua direkt me karton të kuq.
Skopje dhe Renova kanë luajtur baras 1-1, gjithashtu në një terren të vështirë për lojë. Të parët në epërsi kaluan nikoqirët me golin e Bopesu në minutën e 77, ndërsa në minutën e 90-të Neziri i solli një pikë të madhe bardhekaltërve nga Tetova.
Ndërkohë, skuadra e Sileksit dhe Pelisterit nuk e zhvilluan ndeshjen e tyre, pas kushteve të rënda për lojë në stadiumin në Kratovë. Në Kratovë pa ndërpresë ka pasur të reshura të mëdha të borës, me çka nuk ka pasur kushte për lojë në stadiumin e këtij qyteti. Vendimin për anulimin e ndeshjes u soll pas konsultimeve me kapitenët dhe referin Josip Barton.
Të shtunën, kampioni aktual Vardari, u mund nga Rabotniçki me 2-1.