Shkup, 2 qershor – Ferhan Hasani edhe njëherë tjetër gjatë karrierës së tij do të provoj veten në Danimarkë, aty ku më parë kishte luajtur me gjigandët e Brondbit. 32-vjeçari do të luaj me skuadrën e Helsingor, që garon në Ligën e Parë daneze.
Hasani tingëllon një emër i njohur për opinionin futbollistik në Danimarkë, kjo për shkak se i njëjti gjatë sezoneve 2013/14 dhe 2014/15 kishte luajtur me Brondbin, për tu rikthyer sërish te Shkëndija e Tetovës, me të cilën skuadër dy herë ishte shpallur kampion, njëherë kishte fituar edhe trofeun e Kupës, ndërsa gjithashtu në sezonin 2017/18 me 22 gola të shënuar ishte shpallur golashënuesi më i mirë.
Ai në vitin 2018 u largua sërish nga Shkëndija, për të vijuar karrierën në Arabinë Saudite dhe më pas edhe në Finlandë, aty ku me Helsinkin në vitin 2020 ishte shpallur kampion. Ferhan Hasani me skuadrën e FC Helsingør ka nënshkruar kontratë deri me 30 qershor të vitit 2025.