Bujar KURTAJ
Shkup, 27 korrik – Skuadra e Shkëndijës gjendet para një mundësie të mirë që të përsërisë suksesin e vitit të kaluar kur në kuadër të Liga Evropës arriti deri në plej-of, ndërsa aty u ndal nga skuadra e Gentit. Pengesa e radhës e kuqezinjve do të jetë skuadra e Trakai nga Lituania, ndërsa sfida e parë e turit të tretë do të zhvillohet sot (e enjte) në “Vilniaus LFF stadionas” në ora 18.30. Një kundërshtar i panjohur, por që vlerësohet shumë nga skuadra tetovare, me vet faktin se skuadra nga Lituania ka arritur deri në xhiron e tretë dhe në asnjë moment nuk duhet të nënvlerësojnë ata.
Si trajneri Qatip Osmani poashtu edhe kapiteni i ekipit Ferhan Hasani, theksojnë se kanë respekt për kundërshtarin, do të jenë të kujdesshëm, mirëpo besojnë se kanë potencial që të arrijnë rezultat pozitiv. “Jemi të lumtur që jemi këtu për tu përfaqësuar në raundin e tretë eliminator të Liga Evropës. Normal ne shikojmë përpara dhe duam të vazhdojmë sa më larg që të jetë e mundur. Jemi të vetëdijshëm se nuk do ta kemi të lehtë, Trakai është skuadër cilësore që jo rastësisht ka arritur në këtë nivel të garave. Ne pretendojmë të luajmë lojën tonë, të bëjmë maksimumin dhe të provojmë të marrim rezultat pozitiv. Sigurisht fitorja do të ishte gjëja më e bukur, mirëpo për ne do të jetë me rëndësi edhe nëse shënojmë gol në transfertë që do të na ndihmonte shumë para ndeshjes së kthimit”, tha Qatip Osmani.
“Kemi respekt për Trakain pasi ata deri tani bënë punë të mirë në këtë edicion të Liga Evropës, duke kaluar dy kundërshtar prej të cilëve njëri nga Suedia. Prandaj ne jemi të kujdesshëm dhe e dimë se qëllimin tonë mund ta arrijmë vetëm me angazhim dhe impenjim maksimal. Duhet të kërkojmë lojën tonë, të jemi të disiplinuar në drejtim të realizimit të detyrave që do të na japë stafi teknik dhe mos humbim koncentrimin në asnjë moment. Nuk do të jetë e lehtë, por besoj se kemi potencial të marrim rezultat pozitiv”, deklaroi Ferhan Hasani.
Ndërkohë, pos Mevlan Muratit për të cilin gazeta KOHA informoi se është rikthyer pas lëndimit dhe do të jetë në kombinim për ndeshjen e sotme, nga klubi kuqezi konfirmuam se edhe braziliani Zhunior do të jetë në kombinim për këtë ndeshje, derisa mesfusha do të jetë e dobët me mungesën e Vujçiçit, i cili u lëndua në ndeshjen e kthimit me Helsinkin.