Teuta Skenderi
“Ai qe shpeton edhe vetem nje jete, e shpeton Boten”
Talmud
Libraria e Bacës Hasan Xërxa në Prizren ndriconte nga jashtë, dhe i vinte erë lumturie. Ky vend magjepës shkronjash, këngesh dhe poezish, ka lënë një vule të pashlyer në femijërine time, vulë kjo që më përcjellë kudo që jam.
Baca Hasan, kokëlartë, dhe flokëargjendtë, me një zë të butë këmbanor, ikonë e qytetit, që solli lumturi dhe dituri përmes librash gjeneratave të tëra të banorëve të qytetit tonë, dhe më gjerë, bëri icka edhe më të jashtëzakonshme. Dicka që do të rrëfehet deri ne përjetësi.
Në kohën kur në të gjitha shtetet e Evropës, hebrenjtë u persekutuan dhe u vranë në mënyrën më mizore, ishte një vend në Evropë, ku ata ishin te sigurtë- Shqipëria.
Një vend i vogel dhe i varfër, me një trimëri, bujari të
jashtëzakonshme, strehoi, mikpriti dhe mbrojti me qindra familje hebrenjësh, në një periudhë më të përgjakur të historisë së tyre, të cilën e perkujtojmë sot, në diten e Holokaustit. Njëri nga këta njerëz bujarë, ishte edhe Hasan Xërxa. Ishte vetëm 25 vjecar në atë kohe, kur me makinen e tij transportoi me qindra hebrenj nga Shkupi,në Decan dhe pastaj më thellë në Shqipëri, duke rrezikuar edhe jetën e tij.
“Bëje një të mire dhe hudhe në lum si nje guralec”, i thoshte kështu Drane Bojaxhiu vajzës së saj Gonxhes, e cila tërë jetën ia dedikoi të varfërve.
Edhe Baca Hasan, askujt nuk ja ka permendur këtë akt trimërie, ndërsa në një shtet te madh, i cili ne vitin 1939 refuzoi një anije plot hebrenjë të cilët përfunduan në Auschëitzë ,u xhirua një film për një trim të ngjashëm, një film që fitoi disa cmime Oscar…
Por ata që mbetën gjalle, nuk harruan. Ata e kërkuan Bacen Hasan, e gjetën, e nderuan. Tërë Bota sot e di, sepse bëmirësia e tij u shënua në Monumentin Yad Vashem në Jerusalem.
Por ‘monumenti’ yne eshte Besa. Asnjë njeri nuk u dorëzua. Asnjë nuk u tradhëtua, vetëm se i lutet Zotit ndryshe ose ka emër tjetër. Kanë ngrëne me një sofër. Janë mbrojtur deri në fund. Në asnjë vend në Evropë nuk ndodhi që numri i hebrenjëve të jetë më i madh pas luftës se në fillim të saj. Ndodhi vetëm në Shqipëri.
Të kujtojmë sot edhe prefektin e Prishtines, Hysen Prishtinën i cili në vitin 1942 iu dha lajmin e rrejshëm okupatorit gjerman se me qindra hebrenjë të mbyllyr në kampin ku sot qëndron Fakulteti Filologjik janë të sëmurë nga tifoja. Kështu edhe këta u bartën në Shqipëri. Shumë nga këta njerëz që pritnin ekzekutimin e sigurtë u shpëtuan edhe nga Hasan Xërxa.
Fati i popullit tonë ishte i tillë, që ky njeri bujar dhe patriot të
vuajë 16 vite burgu në Nish. E liruan disa ditë para martesës së vajzës së tij. Asaj i kujtohej babai, kur e vizitonte në burg, i heshtur me pranga në dorë, i dobësuar, sepse ushqimin e sjellur nga shtëpia nuk ia jipnin. Të gjitha këto i mesova pas vdekjes së Baces Hasan. Jetoi plot 97 vite, dhe hyri në histori.
Kopjen e pare të librit ‘Ditari i Ana Frank’ e kam blerë në librarinë plot dritë, me erë lumturie. Isha 9 vjece, dhe atëbotë nuk e dija se më buzëqeshte një hero, që shpëtoi një Botë të tërë./KultPlus