Në kohën kur Qeveria ia pranoi listën e emrave të ri Qytetit të Shkupit, ku emrat në shqip së fundmi zënë vendin e merituar, në Tetovë – qytetin me shumicë shqiptarë, rrugët vazhdojnë të mbajnë emra si “Lenini”, “JNA”, “Bllagoja Toska”,”Marshall Tito”, “Boris Kidriç”, “Kuzman Josifovski Pitu” e kështu me radhë
Urim HASIPI
Tetovë, 3 prill – Ndonëse Këshilli i Qytetit të Shkupit ditë më parë ka vendosur që disa rrugë në të ardhmen të mbajnë emra të personaliteteve shqiptarë, në një komunë siç është Tetova – ende nuk po arrihet një marrëveshje me këshilltarët maqedonas që të ndryshohen emrat e rrugëve, bulevardeve dhe shkollave. Në një seancë të para disa viteve, edhe këshilltarët maqedonas kishin vërejtje për disa emra aktual të rrugëve në Tetovë. Vitin e kaluar kishte një iniciativë që të fillohet procedura në Këshillin e komunës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave, urave, shesheve dhe bulevardeve, megjithatë nuk u arrit një konsensus i nevojshëm në mesin e këshilltarëve që të vihet në rend dite.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, pranon se emrat aktual të rrugëve i takojnë së kaluarës dhe që nuk kanë aspak rëndësi për banorët e qytetit të Tetovës. Ai, po ashtu, pranon se iniciativa e vitit të kaluar nuk kishte patur sukses, por rithekson se sërish do të tentojë për një koordinim më të mirë me të gjitha grupet e këshilltarëve dhe me këtë, të miratohet vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave, shesheve dhe urave. Vendimi duhet të votohet përmes parimit të Badinterit apo shumicës së këshilltarëve nga komuniteti pakicë, e që në këtë rast janë maqedonas.
“Ne këtë iniciativë e filluam edhe vitin e kaluar, mirëpo nuk arritëm të konkretizojmë disa gjëra. Unë si kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, do të tentojë të marr një iniciativë deri tek koordinatorët e këshilltarëve të të gjitha partive, me qëllim që të gjejmë zgjidhje për emrat e rrugëve të cilët i takojnë së kaluarës, por duhet që të shohim se këtu nuk bëjnë pjesë vetëm rrugët por janë edhe urat, bulevardet, sheshet, shkollat dhe institucionet tjera që i takojnë Komunës së Tetovës”, deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.
Kësisoj, edhe sot e kësaj dite në Tetovë disa rrugë vazhdojnë të mbajnë emra anakronik me kohën në të cilën jetojmë, siç janë “Rruga Lenin”, “JNA”, “Kuzman Josifovski Pitu”, “Ivo Llolla Ribar”, “Bllagoja Toska”, “Marshall Tito”, “Boris Kidriç” e kështu me radhë. Nuk janë vetëm rrugët që kanë emra të cilët aspak nuk shprehin realitetin në këtë qytet të Pollogut, ku shumica janë banorë të komunitetit shqiptar, por ka edhe bulevarde ku asnjëri prej tyre nuk mban emër që do të ndërlidhet me shqiptarët si për shembull bulevardi “Bllagoja Toska”, Bulevardi “Ilindenit” apo bulevardi “Vidoja Smilevski Bato”. Ndërkaq, edhe ato pak emra të rrugëve që ndërlidhen me shqiptarët si për shembull “Murat Baftjari”, megjithatë për biografinë e tij dihet shumë pak. Në ndërkohë, Këshilli i Komunës së Tetovës në vitin 2007 kishte sjellë vendim për ndryshim të emrave të rrugëve, por që ky vendim asnjëherë nuk ka marrë formën zyrtare dhe institucionet nuk respektojnë këtë vendim të këshillit të Komunës së Tetovës edhe pse nëpër disa tabela janë të shënuara emrat e rrugëve të cilët u miratuan në përbërjen e këshillit 2005 -2009. Ndërkaq, asnjë shkollë e mesme përveç Gjimnazit të ri “7 Marsi”, të themeluar kohë më parë, shkollat tjera të mesme nuk kanë asnjë emër që ndërlidhet me shqiptarët edhe pse mbi 90 për qind e nxënësve janë shqiptarë. (koha.mk)