Bujar KURTAJ
Ertan Hasan nuk do të rinovojë kontratën e tij me anëtarin e Ligës së dytë të Shqipërisë, Besëlidhja. Lajmi bëhet i ditur nga vetë futbollisti shkupjan, i cili për gazetën KOHA ka konfirmuar se nuk ka pranuar ofertën e drejtuesve të klubit që të zgjasë marrëveshjen me ata, derisa kontrata i skadojë në dhjetor vitin e kaluar. “Pas një viti qëndrim te skuadra e Besëlidhjes, erdhi koha për tu ndarë. Pasi më përfundoi kontratë, drejtuesit më ofruan marrëveshje të re, por unë nuk e pranova. Arsyeja se pse nuk e pranova nuk ka të bëjë me kushtet, por për shkak obligimeve familjare, e kam patjetër të rikthehem në vendlindje. Falënderoj drejtuesit e klubit, shokët e skuadrës dhe mbështetësit e Besëlidhjes, për bashkëpunimin që e kemi pas gjatë këtyre 12-muajve. Më vjen keq që klubin nuk arritëm të dërgojmë në Superligë, andaj nuk më ngel asgjë tjetër vetëm se ti uroj atë që kjo ëndërr e cila po zgjatë tetë vite, një ditë të realizohet”, u shpreh sulmuesi shkupjan. Ai gjatë 12-muajve sa ishte pjesë e kësaj skuadre, shënoi 15-gola. Në pyetjen se ku do të vazhdojë karrierën e tij, sulmuesi 29-vjeçar tha se mund të rikthehet në kampionatin vendor, ose atë të Kosovës. “Siç përmenda, obligimet familjare bënë që unë mos të vazhdoj qëndrimin në Shqipëri. Do të doja të vazhdojë karrierën në futbollin vendor, por nuk përjashtohet mundësia që të luajë në ndonjë klub në Kosovë. Deri më tani nuk ka asgjë konkrete, por besoj se së shpejti edhe kjo çështje do të zgjidhet”, përfundoi Hasan. Kujtojmë, Hasan deri më tani ka pasur një karrierë të pasur, duke luajtur për shumë klube si Shkupi, Shkëndija Tetovë, Prishtina, Drita, Vllaznimi (Gjakovë), Ferizaji, Kozhufi, Vrapçishti, Rrufeja dhe Gostivari.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.