Nga dokumentacioni që e kemi në disponim, shihet qartë roli i Hasan Bilallit dhe i bashkëveprimtarëve të tij, siç ishin: Hajdar Efendiu, Shaban Efendiu, Garip Beadini, Xhevahir Shaqiri, Abdullah Abdullahu e shumë të tjerëve, në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Burimet e proveniencës policore maqedonase, vinin në dukje riaktivizimin e NDSH-së në trevat shqiptare të Maqedonisë dhe në Kosovë, në ballë të së cilës qëndronin kryesisht ish të burgosurit politik, atdhetarët dhe veprimtarët e mëhershëm të NDSH-së, të cilët pas vuajtjes së dënimit kishin hartuar platformën politike
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Shihet qartë politika represive e udhëheqjes politike maqedonase ndaj Hasan Bilallit, si një ish i burgosurve politik shqiptar. Një politikë e tillë, buronte që nga e ashtuquajtura “Marrëveshje xhentlemene”, të arritur në janar të vitit 1953 në Split, midis udhëheqësit komunist jugosllav, J. B. Tito dhe ministrit për Punë të Jashtme të R. Turqisë, Fuad Kyprili, sipas së cilës planifikohej që brenda periudhës kohore 1953-1959 nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku për në Turqi të shpërnguleshin rreth 400.000 banorë myslimanë, pjesa dërmuese e tyre të përkatësisë etnike shqiptare. Rrjedhimisht, nga pjesa e dytë e atij viti, filloi procesi i shpërnguljes masive, së pari në Maqedoninë Veriperëndimore, ndërsa nga viti 1956 do të përhapet edhe në Kosovë, Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe Mal të Zi. Numri i përgjithshëm i të shpërngulurve deri në mars të vitit 1959, siç pohojnë dokumentet e proveniencës policore e partiake jugosllave, ishte 143.800 banorë, ndërsa deri në vitin 1966, ky numër u rrit në mbi 250.000 banorë.
Ishin pikërisht ish të burgosurit politik dhe inteligjenca shqiptare, të cilët e kundërshtuan në mënyrë të hapur atë politikë diskriminuese dhe shfarosëse të udhëheqjes komuniste jugosllave, e cila sipas tyre fare nuk ndryshonte nga politika e mëparshme hegjemoniste e Mbretërisë jugosllave. Procesin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, ata e konsideronin si një ndër masat më të rrezikshme të udhëheqjes komuniste jugosllave, që këto troje “një herë e mirë të pastrohen nga shqiptarët”. Lidhur me këtë, ata shpreheshin: “Nëse një shqiptar vdes në vendlindje, atëherë kemi humbur një shqiptar, ndërkaq nëse shkon në Turqi dhe vdes atje, atëherë kemi humbur dy…”.
Nga dokumentacioni që e kemi në disponim, shihet qartë roli i Hasan Bilallit dhe i bashkëveprimtarëve të tij, siç ishin: Hajdar Efendiu, Shaban Efendiu, Garip Beadini, Xhevahir Shaqiri, Abdullah Abdullahu e shumë të tjerëve, në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Burimet e proveniencës policore maqedonase, vinin në dukje riaktivizimin e NDSH-së në trevat shqiptare të Maqedonisë dhe në Kosovë, në ballë të së cilës qëndronin kryesisht ish të burgosurit politik, atdhetarët dhe veprimtarët e mëhershëm të NDSH-së, të cilët pas vuajtjes së dënimit kishin hartuar platformën politike prej gjashtë pikash:.
“1. NDSH-ë do të zhvillojë fushatë të pandërprerë në vendbanimet shqiptare, me qëllim të pengimit të shpërnguljes së tyre për në Turqi. Për këtë qëllim, obligohet kreu udhëheqës i organizatës si edhe anëtarët e saj, që fushëveprimin e tyre ta orientojnë tek ata shqiptarë të cilët planifikojnë të shpërngulen dhe sa është e mundur të ndikohet te ta që me çdo kusht të ngelin në vendin e tyre;
- NDSH-ë do të angazhohet që shqiptarët në viset e tyre etnike të zhvillojnë jetë paralele dhe sa është e mundur të pengohet bashkëpunimi i tyre me strukturat komuniste maqedonase;
- NDSH-ë nëpërmjet takimeve të ndryshme, do të zhvilloj fushatë te masat e gjera shqiptare, me qëllim që të mos blejnë pronë nga serbët dhe maqedonasit;
- Gjithashtu, kjo organizatë fuqishëm do t’i kundërvihet martesave të përziera, sepse nëpërmjet kësaj autoritetet komuniste jugosllave do të tentojnë të kryejnë asimilimin e shqiptarëve dhe shndërrimin e tyre në sllav;
- NDSH do të angazhohet që të hapen sa më shumë shkolla shqipe, ndërsa nëse pushteti planifikon t’i mbyllë atëherë ajo do të organizoj protesta mbarëkombëtare;
- E mbarë anëtarësia e NDSH-së do të angazhohet që në mesin e shqiptarëve të krijohet klimë uniteti, përkatësisht që shqiptarët mes veti të konsiderohen si vëllezër.”.
Burgosjet masive të kryera gjatë vitit 1958 në Kosovë nga ana e UDB-ës jugosllave e brengosën tejmase Hasan Bilallin. Këtë brengë ai e shpreh para “Krashnjak”-ut, duke i thënë ati se “burgosjet masive që u kryen në kohë të fundit në Kosovë janë tepër brengosëse për ne shqiptarët”, dhe se “tërë kjo kryhet vetëm e vetëm që të na detyrojnë t’i lëmë vatrat tona e të shpërngulemi për në Turqi”.
Në vitin 1959, Hasan Bilalli punësohet si nëpunës në Metalurgjinë e Shkupit. Punësimi i tij erdhi në kohën kur udhëheqja e atëhershme komuniste jugosllave solli disa konkluzione, përmes të cilëve konstatohej pabarazia e kombësisë shqiptare e asaj hungareze, përkatësisht “joproporcionaliteti i tyre” në organet e pushtetit, administratën shtetërore, organizatat ekonomike etj.. Në lidhje me këtë, Kryesia e KQ të LKJ-së, gjatë vitit 1959, lëshoi një letër tepër sekrete deri te drejtuesit e komiteteve republikane e krahinore të LKJ-së, në të cilën kërkohej ndërmarrja e menjëhershme e “iniciativave për përmirësimin e punës në linjën e kombësive”. Më tej, në letër nënvizohej se duhet kushtuar një kujdes më të madh ndaj çështjeve për “krijimin e kuadrit të kualifikuar nga radhët e kombësive”, edhe atë në të gjitha fushat dhe se duhet të likuidohet në tërësi politika e cila deri në atë periudhë kohore nuk kishte krijuar kuadro nga “radhët e kombësive”, por madje edhe “janë përjashtuar edhe ato që kanë ekzistuar…”. Në letër, gjithashtu thuhej se “marrëdhëniet ndaj kombësive të caktuara nacionale nuk duhet të ndikojë marrëdhënia e Jugosllavisë ndaj vendit përkatës që i takon kombësia”, përkatësisht “nëse Jugosllavia është në marrëdhënie të këqija me Shqipërinë, kjo nuk duhet të ndikojë negativisht në politikën e saj ndaj kombësisë shqiptare…”.
Është e rëndësishme të theksohet se shërbimi sekret maqedonas, vazhdoi ta përndjekë aktivitetin e tij edhe pasi i njëjti u kthye në punë, e cila përndjekje kryhej për motive të njëjta: “veprimtari armiqësore kundër rregullimit shoqëror socialist jugosllav”. Kjo dëshmohet nga raportet dhe informatat e rregullta që ky shërbim i merrte nga bashkëpunëtorët, përkatësisht informatorët, të ngarkuar enkas për ta përcjell veprimtarinë e Hasan Bilallit, që me këtë rast po i referohemi raportit që oficeri i sigurimit e pranoi më 11 shtator 1959 nga bashkëpunëtori i tij me emrin e koduar “Jabllan”, ku në të, veç tjerash thuhej:
“Hasani prej para pak kohësh është punësuar në ‘Metalski Zavod Tito’ si nëpunës. Unë atë shumë pak e njoh, mirëpo gjatë një bisede më tha se shkruan disa çështje në prozë dhe se i shkruan në atë mënyrë, saqë ata kanë kuptim të dyfishtë. Për shembull, tha se shkruan për gruan, për vendin e ngjashëm, e në fakt ato shprehin krejtësisht çështje tjera, që e qetësojnë e për çka nëse do të shkruheshin në mënyrë të qartë mund të shkohet edhe në burg…”.
Siç e pamë më lartë, H. Bilalli qe liruar me kusht. Ky kushtëzim skadonte më 21 janar 1962, atëherë kur i përfundonte dënimi prej 15 vjetëve heqje lirie. Deri atëherë, atij i mohoheshin disa të drejta qytetare, si p. sh. e drejta për të udhëtuar brenda dhe jashtë vendit. Kjo, me fjalë tjera, nënkuptonte që nëse ai dëshironte të udhëtonte, ta zëmë në Prishtinë, apo në ndonjë qytet tjetër, paraprakisht duhej të merrte leje qarkullimi (në origjinal “objava”) nga sekretariati për punë të brendshme. Ky përkufizim ishte edhe më i ashpër kur bëhej fjalë për udhëtim jashtë shtetit, sepse atij rreptësishtë i mohohej posedimi i dokumentit të udhëtimit jashtë vendit, përkatësisht pasaporta. Pasi ky përkufizim i lirisë së qarkullimit skadoi më 21 janar 1962, Hasan Bilalli në shtator të atij viti përmes një lutje drejtuar Sekretariatit për Punë të Brendshme për Qarkun e Shkupit, kërkoi të pajiset me pasaportë, me qëllim të një vizite të tij private në Turqi. Rrjedhimisht, sekretariati i lartpërmendur më datë 24 shtator 1962, solli vendim me të cilin u hodh poshtë kërkesa e Hasan Bilallit, me arsyetimin si më poshtë: “…Sekretariati për Punë të Brendshme të Këshillit Popullor të Qarkut të Shkupit e shqyrtoi lutjen e personit Bilalli Hamdi Hasan, me të cilën kërkonte të jepej pasaporta për udhëtim privat në Turqi si dhe dokumentet nga lënda, për çka gjeti se ekziston rast nga neni 20 paragrafi 2 dhe 4 nga Rregullorja për dokumente udhëtimi për kalim të kufijve shtetëror. Nisur nga kjo, ndërsa në pajtim me nenin 20 paragrafi 2 dhe 4 nga e njëjta rregullore është vendos si në dispozitiv…”.
Në mënyrë identike vendos edhe Sekretariati Shtetëror i RP të Maqedonisë, me rastin e shqyrtimit të ankesës së H. Bilallit, kundër vendimit të parë. Kjo përbën dëshminë më të fuqishme për politikën diskriminuese të pushtetit të atëhershëm komunist maqedonas ndaj popullsisë shqiptare. Diskriminimin e shqiptarëve në RP të Maqedonisë në atë kohë më së miri e përshkruante korrespondenti i gazetës “Financial Time”, nga Londra, Lendvaj Paml Andor, i cili gjatë vizitës që ia bëri Maqedonisë më 29 maj-1 qershor 1962, do të deklarojë: “…Në Jugosllavi njerëzit mund t’i ndajmë në disa kategori edhe atë: si më të diskriminuar janë romët dhe shqiptarët, pastaj vijnë punëtorët në përgjithësi dhe pas këtyre vinë të gjithë qytetarët tjerë…”.
Pa dyshim se një gjendje e tillë vinte si rrjedhojë e rolit destruktiv të UDB-së, e cila çdo kërkesë të shqiptarëve, veçmas nëse ajo buronte nga inteligjenca, apo nga ish të burgosurve politik e konsideronte si: “irredentiste e nacionaliste”. Madje, që kjo shtresë e vetëdijshme shqiptare të futej nën kontrollë të plotë të pushtetit, përkatësisht të UDB-së, Kryesia e KQ të LKM-së, më 31 janar të vitit 1962 miratoi tezat për përndjekjen e saj, pikat kryesore të së cilës ishin: “…numri i përgjithshëm i inteligjencës shqiptare në RP të Maqedonisë; në cilën periudhë inteligjenca shqiptare e ka kryer shkollimin e vetë ( gjysmë të mesëm, të mesëm, të lartë dhe fakultet); numri i përgjithshëm i anëtarëve të LK-së në mesin e inteligjencës shqiptare; anëtarë komunal, të rretheve dhe udhëheqës shtetëror të organizatave masive shoqërore-politike; bashkëpunëtor të okupatorit nga radhët e inteligjencës shqiptare; intelektualë shqiptarë, të cilët pas çlirimit kanë pasur dukuri armiqësore ose në mënyrë aktive kanë punuar kundër rregullimit shoqëror socialistë në shtetin tonë; masa të marra për përndjekjen e elementeve armiqësore nga radhët e inteligjencës shqiptare; kuadri arsimor në institucionet arsimore; kuadri arsimor në shkollat tetëvjeçare; bashkëpunëtor të okupatorit nga radhët e kuadrit arsimor; mësues të cilët pas çlirimit kanë pasur dukuri armiqësore ose në mënyrë aktive kanë punuar kundër Jugosllavisë socialiste; masa të marra për përndjekje; manifestimet armiqësore momentale në mesin e mësuesve; kuadri arsimor në shkollat e mesme; kuadri arsimor në normalen “Zef Lush Marku”; profesorë të cilët pas çlirimit kanë pasur qasje armiqësore ose në mënyrë aktive kanë punuar kundër Jugosllavisë socialiste; manifestime armiqësore në mesin e profesorëve; profesorë në shkollat e larta; bashkëpunëtorë të okupatorit; profesorë të cilët pas çlirimit kanë pasur qasje armiqësore ose në mënyrë aktive kanë vepruar kundër Jugosllavisë socialiste; numri i përgjithshëm i nxënësve në shkollat e mesme në RPM-ë; numri i nxënësve nëpër shkolla të mesme për secilin rreth veç e veç; numri nxënësve nëpër shkollat e mesme të ardhur nga Kosova; dukuri dhe manifestime armiqësore në mesin e nxënësve të shkollave të mesme; masat e përndjekjes kundër bartësve të manifestimeve armiqësore në mesin nxënësve të shkollave të mesme; numri i përgjithshëm i studentëve; numri i studentëve në Universitetin e Shkupit (veçmas për secilin fakultet); numri i studentëve në Universitetin e Beogradit (veçmas për secilin fakultet); manifestime armiqësore në mesin e studentëve; masat e marra për përndjekjen e udhëheqësve të manifestimeve armiqësore në mesin e studentëve; numri i përgjithshëm i punëtorëve kulturo-artistikë në “Teatrin e Pakicave” në Shkup, në “Flakën e Vëllazërimit” etj.; numri i intelektualëve anëtarë të SHKA “Emin Duraku” në Shkup; format dhe metodat e veprimit armiqësorë në mesin e shoqërisë; ndikimi i Shqipërisë në mesin e inteligjencës shqiptare; sa intelektualë kanë komunikuar me përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Beograd; sa intelektualë mbajnë lidhje nëpërmjet letrave me emigracionin shqiptarë në Perëndim… etj.”.
Shihet qartë se në çfarë reprezalje përjetoi asaj kohe inteligjenca shqiptare nga UDB-ja jugosllave, e cila udhëhiqej e kontrollohej nga dueti i mirënjohur shovinist serb Rankoviq-Stefanoviq, përkatësisht ai maqedonas, Kolishevski-Cërvenkovski. Lidhur me këtë, intelektuali shqiptar i kohës nga Shkupi, Sejdi Raufi, në ditarin e tij të mbajtur gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës shkruante:
“…Më herët shtypi jugosllav botonte artikuj për inkuizicion nëpër burgjet e vendeve Informbyroistë, mirëpo kjo sot vlen për burgjet e RFPJ-së… bini banditë! Ne jemi shqiptarë dhe shqiptarë do të ngelim, nuk do të shpërngulemi në Turqi… Keni kryer tmerr ndaj shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni… Burgosen vetëm shqiptarë për shkak të ballafaqimeve personale, për shkak se janë pa mbrojtje… A thua diku në botë ekzistojnë këso poshtërsia e mjerime që njeriu të jetë i flijuar për shkak proceseve të montuara. Në kohën atomike, ku ekzistojnë dispozita për mbrojtjen e kafshëve, ka njerëz që nuk janë të mbrojtur. Që siguria ka shkuar deri në atë shkallë, saqë nuk munden pesë vetë të bisedojnë në një vend, sepse janë të përcjellë dyfish më shumë se ata. Kjo përbën mashtrim të lirisë njerëzore, kafshëve, ndjenjave etj. Organet e punëve të brendshme përmes falsifikimeve i ndjekin shqiptarët, siç dikur ndiqeshin zezakët afrikan gjatë kohës së robërisë, vetëm për t’i detyruar të shpërngulen në Turqi….”.
Mbledhja IV e KQ të LKJ-së, punimet e së cilës u zhvilluan më 1 korrik 1966 në Brione, konsiderohet si një kthesë shumë domethënëse për Federatën e atëhershme jugosllave, sepse në të mori një grusht të rëndë krahu centralist e unitarist i Aleksandër Rankoviqit dhe klikës së tij. Tito dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, menjëherë pas kësaj mbledhjeje shpallën reforma të përgjithshme si brenda Lidhjes komuniste, po ashtu edhe te organizatat dhe bashkësitë tjera shoqërore-politike, në organet shtetërore, veçmas në shërbimin për sigurimin shtetëror, i cili deri atëherë kontrollohej nga krahu i Rankoviqit. Me reformat parashikohej edhe përmirësimi i menjëhershëm të pozitës të kombësive, veçmas të shqiptarëve si në Kosovë, po ashtu edhe në RS të Maqedonisë dhe në RS të Malit të Zi.
Vetëm pas këtyre ndryshimeve politike u bë e mundur që Hasan Bilalli t’i kthehet profesionit të mësuesit, të cilin aq shumë e deshi, e për të cilin sakrifikoi gjithçka nga vetvetja. Tashti ai u punësua në SHF “Përparimi” në fshatin Studeniçan të Karshijakës së Shkupit, ku punoi si arsimtar i gjuhës frënge. Ati punoi deri në vitin shkollor 1977/78 kur edhe u pensionua. Unë pata fatin ta njihja personalisht arsimtarin Hasan, si nxënës i ciklit të lartë të asaj shkolle gjatë viteve shkollore 1975/76 – 1977/78 (klasa i V – VII). Edhe pse në klasën time lëndën e gjuhës frënge na e ligjëronte një arsimtar tjetër, ne mësuesin Hasan e kishim idhull, sepse sa herë që na takonte në korridorin apo oborrin e shkollës na përkëdhelte ngjashëm sikurse e përkëdhel prindi fëmijën e vet. Përveç kësaj, ai shpesh herë vinte për vizitë në shtëpinë tonë, pasi ngjashëm sikurse familja Bilalli, edhe familja ime asaj kohe për pushtetin komunist jugosllav-maqedonas konsiderohej si familje “armiqësore”. Gjyshi im, Xhafer Lita, për idetë e njëjta, nga ana e Gjyqit të Qarkut të Shkupit, gjatë vitit 1947, qe dënuar me 20 vjet heqje lirie, ndërsa pjesën më të madhe të dënimit e vuajti po në burgun e Idrizovës, ku dënimin e vuanin edhe anëtarët e NDSh-së: Hasan Bilalli, Qemal Skenderi, Hajdar Efendiu etj., me të cilët ai qe miqësuar. Përveç se me familjen time, Hasan Bilalli asaj kohe në fshatin Maranë vizitonte edhe dy vëllezërit e Azem Maranës, Ahmet dhe Jusuf Kadriun.
Pa marrë parasysh situatës së relaksuar politike që mbisundonte në harkun kohor 1966-1981, UDB-a vazhdoi ta përcjell aktivitetin dhe veprimtarinë e tij. Ai nga ky shërbim trajtohej si “person represiv” dhe si i tillë ishte nën kontroll të vazhdueshëm nga ana e oficerëve të sigurimit shtetëror, të cilët përmes informatave konfidenciale njoftonin pandërprerë strukturat drejtuese të këtij shërbimi për çdo ndryshim eventual që mund të ndodhte në familjen e Hasan Bilallit.
“…Më datë 12 gusht 1979, përmes rrugës operative kreva kontroll për personin Hasan Bilalli, në rrugën 760 nr. 1/III-6 dhe kuptova për sa më poshtë vijon:
Për momentin personi gjendet në shtëpi. Nuk ka shkuar në pushim, ndërsa shumë shpesh udhëton për Prishtinë ku qëndron 2-3 ditë dhe sërish kthehet. Thuajse për çdo ditë me motor Poni udhëton kah Bit Pazari. Siç u informova atje ka shumë miq, mirëpo te ai shumë dobët vijnë…”.
Është me interes të shpaloset pjesa e dytë i informatës, ku oficeri i sigurimit vë në dukje vështirësitë e tij për t’i zbuluar lëvizjet dhe shoqërinë e H. Bilallit, për shkak kontakteve të pakta që ai i kishte asaj kohe në territorin ku ai jetonte:
“…Meqenëse personi shumë pak kontakton me qytetar në terrenin ku jeton, edhe më tej do ta kontrolloj dhe do të përpiqem të kuptoj se ku shkon dhe me kënd shoqërohet…”.
Ky kontroll do të shtohet pas vitit 1981, përkatësisht pas demonstratave studentore në Kosovë, ku siç dihet udhëheqja e atëhershme politike maqedonase e pa si momentin më të volitshëm për t’i shtuar masat represive ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e ndaj ish të burgosurve politik në veçanti. Gjithnjë duke u mbështet në burimet e proveniencës policore maqedonase, shohim se Hasan Bilalli nga viti 1981 e deri vdekje ishte nën mbikëqyrje dhe përndjekje të rreptë të UDB-së. Krahas etiketës “person represiv”, atij i shtohet edhe etiketa “nacionalist dhe irredentist shqiptar” dhe si i tillë përfshihet në shumë aksione të UDB-ës, si p.sh.: “Jahorina”, “Vihor” etj. Pengesa kryesore për të zbuluar diç më tepër rreth veprimtarisë së tij, ishte siç u tha më lartë, kontaktet e pakta që H. Bilalli i kishte në lagjen ku ai jetonte. Nisur nga kjo, oficeri i sigurimit i ngarkuar për ta përndjek veprimtarinë e H. Bilallit, në informatën e hartuar më 3 qershor 1983, nënvizonte: “Meqenëse në vendin ku jeton nuk kemi mundësi dhe kushte për inspektim operativ, do të bëhen përpjekje për gjetjen e një personi të përshtatshëm në mjedisin ku e kalon pjesën më të madhe të kohës, përkatësisht në çajtoren “Slloga” në Bit Pazar…”. Hasan Bilalli vdiq më 24 qershor të vitit 1987, në moshën 69 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Një muaj më pas, oficeri i sigurimit i ngarkuar për ta përcjell veprimtarinë e tij, përmes një shkrese drejtuar Drejtorisë së UDB-së, kërkonte që Hasan Bilalli të “çregjistrohej nga evidenca e kontrollit të përhershëm”. (fund)