Me largimin nga Teatri, Hasan Bilalli thuajse për tre vjet ngeli i papunë, duke i ndihmuar vëllait të madh, Ismailit, në dyqanin e tyre. Dëshira e tij e madhe ishte që sërish t’i kthehej profesionit të mësuesisë, mirëpo ishte i vetëdijshëm se këtë nuk do ia mundësonte pushteti maqedonas. Këtë dëshirë, Hasani do ta shpreh gjatë bisedës së zhvilluar në nëntor të vitit 1957 me bashkëpunëtorin e lartpërmendur të UDB-së, me emrin e koduar “Krashnjak”, përndryshe një ish anëtar i NDSh-së
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Si rrjedhojë e një situate të tillë shëndetësore, në janar të vitit 1955, përmes një parashtrese drejtuar organeve kompetente shtetërore, Hasan Bilalli kërkoi të lirohet nga vuajtja e dënimit. Rrjedhimisht, Sekretariati shtetëror për Punë të Brendshme, me shkresën nr. 4780, nga data 4 mars 1955, parashtresën e tij e hodhi poshtë me arsyetimin se “për momentin nuk ekzistojnë kushte që i njëjti të del në liri”. Ndërkohë, meqenëse shëndeti i tij sa vinte e përkeqësohej, po i njëjti organ, më 9 shtator 1955, solli vendim, me të cilin Hasan Bilalli “lirohet me kusht”. Ky lirim i kushtëzuar, siç thuhej në vendim, do të zgjat deri më datë 21 janar të vitit 1962, përkatësisht deri në datën kur atij i përfundonte dënimi prej 15 viteve heqje lirie. Deri atëherë, atij si vendbanim i ishte caktuar qyteti i Shkupit. Gjithashtu, ai deri në datën e përcaktuar, nuk mundte të udhëtonte jashtë këtij qyteti, pa lejen paraprake të po atij organi.
Të nesërmit, më 10 shtator 1955, drejtori i Shtëpisë ndëshkuese korrektuese “Idrizovë” – Shkup, lëshoi një urdhëresë me këtë përmbajtje: “Të dënuarit Hasan Hamdi Bilalli nga Shkupi, rrethi i Shkupit, i evidentuar nën nr. 1081 i cili me aktvendimin e Gjyqit të Qarkut në Shkup, K. nr. 8/47, është dënuar me privim nga liria me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 15 vjetëve, dënimi i mësipërm i skadon më datë 10 shtator të vitit 1955.
Mbështetur në këtë
URDHËROJ
Që i dënuari Hasan Hamdi Bilalli më datë 10 shtator 1955 të lirohet nga vuajtja e dënimit dhe për të cilën t’i jepet leje udhëtimi deri te vendbanimi i tij. Për lirimin e të dënuarit të lartpërmendur të njoftohet gjyqi i cili e ka dënuar dhe Ministria për Punë të Brendshme – Njësia për kryerjen e dënimit.
Të dënuarit të lartpërmendur t’i dorëzohen të gjitha sendet e tij të cilat gjenden në këtë shtëpi, sikurse edhe paratë nëse i posedon.
Mbikëqyrësi kryesor ta kryejë të mësipërmen dhe më pas këtë urdhëresë t’ia dorëzojë njësisë amë që t’ia bashkëngjesë veprës personale të të dënuarit, e pas asaj, pas evidentimit në librin amzë, e tërë lënda të dorëzohet në arkiv”.
JETA DHE VEPRIMTARIA PAS VUAJTJES SË DËNIMIT
Pas më shumë se 9 vjet robërie, më 10 shtator të vitit 1955, Hasan Bilalli lëshoi burgun e Idrizovës për t’iu bashkua familjes së tij. Kjo shihet nga deklarata e nënshkruar nga vet ai, po më atë datë ku thuhet: “Sot më datë 10 shtator 1955 në Shtëpinë ndëshkuese korrektuese në Shkup e pranova leje udhëtimin dhe të gjitha sendet e mija që gjendeshin këtu”. Përveç tij, në atë periudhë kohore nga burgu qenë liruar edhe disa bashkëveprimtar të tij, si Hajdar Efendiu, Xhemal Kasami – Ferra, Osman Cami, Nexhmedin Besimi etj, ndërsa më herët qenë liruar edhe Mahmut Dumani, Mexhit Zyberi, Jetish Vishi, Xhevahir Shaqiri, Suad Mehmedi etj.
Duhet theksuar se lirimi nga burgu, siç njoftohemi nga burimet e proveniencës policore jugosllave, u prit jashtëzakonisht mirë nga popullsia shqiptare e Shkupit dhe jo vetëm. Tërë kjo ishte rrjedhojë e qëndrimit të tij të paluhatshëm, përkundër presionit psikik e fizik të kryer nga ana e oficerëve të UDB-ës jugosllave, për çka u bë fjalë më lartë. Ishin pikërisht këto arsyet kryesore, që popullsia shqiptare të krijoj një besim të plotë ndaj tij. Po këtë qëndrim do e mbaj edhe pas vuajtjes së dënimit. Bashkëpunëtori me nofkën “Krashnjak”, i raportonte UDB-së jugosllave për një bisedë që e kishte zhvilluar me H. Bilallin, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:
“Hasan Bilalli i dënuar me 20 vjet burg për veprimtari të NDSh-së, i liruar para 3-4 muajve. Me Hasanin u takova para disa ditëve, e meqenëse u takuam për herë të parë, biseduam për të kaluarën tonë të vjetër. Unë e pyeta si ndihet pas lirimit nga burgu, a është qetësuar pas budallallëqeve tona. Ai m’u përgjigj, se madje tash nuk mund të jetë i qetë, për shkak se nuk punon sikur më parë. Unë i fola se çdo veprimtari kundër pushtetit do të ishte budallallëk, ndërsa ne që kemi punuar asaj kohe kemi qenë të mashtruar. Pas kësaj Hasani filloi të më pyes dhe të më bindë se nuk duhet ta harrojmë shpresën me fjalët si vijon: ‘T’i më dukesh se qenke ndryshuar, e ke humbur shpresën. Nuk duhet ta humbësh shpresën, duhet të ngelësh ashtu sikurse ke qenë më herët, e nëse e humbim shpresën dhe tërhiqemi nga ajo që e kemi kërkuar më herët duhet të ngulfatemi në Vardar’…”.
Nuk vonoi shumë, ai u punësua në Teatrin e “Pakicave” në Shkup, i cili qe hapur në vitin 1951, në kuadër të të cilit vepronte drama shqipe dhe ajo turke. Ky institucion kulturor deri në vitin 1956 dha një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore të popullsisë shqiptare, jo vetëm në Shkup, por edhe në brendi, përmes turneve të ndryshme. Dokumentet e kohës vënë në dukje se “Tetari i Pakicave” në harkun kohor 1951-1956 kishte organizuar mbi 1.300 shfaqje në Shkup, me rreth 130.000 vizitorë dhe mbi 150 shfaqje tjera në brendi dhe në Kosovë me rreth 45.000 vizitorë. Drama shqipe posedonte një numër të konsiderueshëm të kuadrit artistik, në mesin e tyre duhet veçuar intelektualin, atdhetarin e shquar shqiptar, mikun dhe bashkëveprimtarin e ngushtë të Hasan Bilallit, Mahmud Dumanin, roli i të cilit ishte i pakontestueshëm në atë institucion të vetëm kulturor shqiptar në RP të Maqedonisë.
Ajten Pllana, në librin e përmendur më lartë e përkujton takimin e rastësishëm të saj me Hasan Bilallin, në foajenë e “Teatrit të Pakicave”, që kishte ndodh pak pasi ai ishte liruar nga burgu:
“…Dhe vitet u radhitën një pas një. Unë u rrita, tashmë isha nxënëse e Shkollës Normale në Shkup. Një mbrëmje, në foajenë e ‘Teatrit të Pakicave’, derisa bisedonim me shokët e shoqet e shkollës, dikush nga prapa më thirri: -“Ajten!”
U ktheva. Pashë një fytyrë të qeshur. E shikova mirë. E njoha. Ishte z. Hasani, mësuesi i vëllait tim Gjynsel, mësuesi që më mbajti ngrykë atë ditë me shi. Rishtas kishte dalë nga burgu. Më përqafoi. Biseduam. Ishte i qeshur, porse dymbëdhjetë vjet në Idrizovë kishin lënë gjurmë të pashlyera në fytyrën e tij. Derisa bisedoja me të, m’u kujtua pikniku i vitit 1945…”.
Në pranverë të vitit 1956, martohet me Besime Ajvazin, e cila rridhte nga një familje e njohur atdhetare shqiptare nga Perani i Podujevës. Ata ishin fejuar dhjet vjet më parë (1946), përkatësisht para se Hasan Bilalli të burgoset. Pas përfundimit të procesit gjyqësor kundër H. Bilallit dhe bashkëveprimtarëve të tij (26 janar – 7 shkurt 1947), Hasani i dërgoi fjalë të fejuarës, që mos ta presë, porse të martohet. Mirëpo, Besimja ia kthen përgjigjen: “se në mënyrë të prerë do ta presë të fejuarin derisa të dalë nga burgu”. Familja Hasani, me 26 korrik te vitit 1957 do t’i gëzohet lindjes së djalit të madh Naserit, ndërsa dy vite me vonë, më 7 qershor 1959 do të lind djali i vogël, Muhamedi.
Ndërkohë, me një vendim arbitrar që Këshilli Popullor i Rrethit të Shkupit e solli në dhjetor të vitit 1956, “Teatri i Pakicave” u shndërroi në “Teatër amator”. Një hap i tillë, gjoja erdhi për shkaqe financiare. Natyrisht se kjo ndikoi negativisht në reputacionin e tij, për arsye se u dobësua kualiteti artistik, pasi numri më i madh i tyre u detyruan ta lënë punën, disa të tjerë u përjashtuan nga ana e pushtetit, në mesin e tyre edhe Hasan Bilalli dhe Mahmud Dumani. Madje, këtë të fundit udhëheqja komuniste maqedonase gjatë vitit 1957 e shpalli “persona non grata” dhe si të tillë e depërtoi në Shqipëri.
Me largimin nga Teatri, Hasan Bilalli thuajse për tre vjet ngeli i papunë, duke i ndihmuar vëllait të madh, Ismailit, në dyqanin e tyre. Dëshira e tij e madhe ishte që sërish t’i kthehej profesionit të mësuesisë, mirëpo ishte i vetëdijshëm se këtë nuk do ia mundësonte pushteti maqedonas. Këtë dëshirë, Hasani do ta shpreh gjatë bisedës së zhvilluar në nëntor të vitit 1957 me bashkëpunëtorin e lartpërmendur të UDB-së, me emrin e koduar “Krashnjak”, përndryshe një ish anëtar i NDSh-së, i cili pas vuajtjes së dënimit shndërrohet në informator klasik dhe shumë i besueshëm i UDB-së, me detyrë speciale ta ndjek së afërmi aktivitetin e Hasan Bilallit e të anëtarëve tjerë të NDSh-së.
“Gjatë një bisede me Hasan Bilallin – thuhej në raportin e “Krashnjak”-ut -, më tha se dëshiron sërish të punësohet si mësues në shkollat shqipe, mirëpo ‘nuk besoj se do të më pranojnë pasi ndaj nesh që kemi qenë në burg kanë mendime të këqija’…’Nuk besoj se do të më japin punë, pasi mendojnë se fëmijët do t’i edukojmë në frymën nacionaliste’…”.
Ndërkohë, “Krashnjak” i raportonte UDB-së edhe për një takim tjetër të tij me Hasan Bilallin, i cili siç vë në dukje, Hasani i qenka ankuar atij se “pushteti nuk dëshiron” ta punësojë si mësues, ashtu siç ka qenë para se të burgoset, duke iu ankuar edhe për gjendjen e rëndë ekonomike, që vinte edhe si rrjedhojë e “taksave të larta” që shteti ua kishte caktuar të paguanin “për dyqanin e vëllait të tij”. (vijon nesër)