Në prag të kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave, Hasan Bilallin e shohim si rekrut në Beograd, përkatësisht në kryerjen e shërbimit të obligueshëm ushtarak. Disa ditë më vonë në Rashkë u zu rob nga ushtria gjermane dhe menjëherë dërgohet në llogoren e Mitrovicës së Kosovës. Aty qëndroi disa ditë, gjegjësisht deri me 25 prill kur arrin të arratiset për t’u vendos në Vushtrri. Së shpejti u punësua te Mustafa Haxhi Rrahmani, një tregtar i njohur në këtë pjesë të Kosovës…
Nga Qerim LITA
Mësuesi dhe veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Hasan Bilalli lindi në vitin 1918 në Prishtinë. Dy vjet pas lindjes së tij, vdiq babai Hamdiu, me çka nënë Hatemja ngeli vet me katër fëmijë të vegjël. Në këto rrethana ajo vendos të shpërngulet për në Turqi. Për këtë arsye gjatë vitit 1920, lëshoi Prishtinën për t’u vendosur përkohësisht në Shkup, përkatësisht deri sa ta rregullojë dokumentacionin e nevojshëm për t’u shpërngulur në Turqi. Për fat të mirë, kjo nuk u realizua dhe ata ngelën të jetojnë në këtë qytet të lashtë shqiptar.
Hasan Bilalli shkollimin fillor dhe gjashtë klasë gjimnaz i kreu në këtë qytet të lashtë shqiptar. Ishin të paktë ata shqiptarë të cilët regjistroheshin nëpër shkolla të mesme. Pa dyshim se shkaqet kryesore për këtë duhet parë në mospasjes e së drejtës për t’u shkolluar në gjuhën amtare. Përveç kësaj, ekzistonin edhe një mori shkaqe tjerash që pamundësonin shkollimin e fëmijëve shqiptarë, si paragjykimet, pikëpamjet e gabueshme për shkollimin dhe konservatorizmi, mjerimi ekonomik, politika diskriminuese e administratës shkollore ndaj fëmijëve shqiptarë etj. Rrjedhimisht, edhe nëse ekzistonte ndonjë vullnet apo dëshirë e popullsisë shqiptare për shkollimin e fëmijëve të tyre, ato përmes formave më të ndryshme pengoheshin nga ana e vetë administratës shkollore, e cila gjoja, tërë atë e bënte në “emër të humanizmit”, përkatësisht, siç theksohej në një dokument të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit “duke mos dashur t’i lëndoj ndjenjat fetare të myslimanëve, duke i pasur parasysh pikëpamjet konservative të tyre për sa i përket shkollës dhe shkollimit…” “Pa dyshim – nënvizonte dokumenti-, me këtë qëndrim të administratës shkollore fare nuk u ndihmohet myslimanëve, porse u shkaktohet një dëm i jashtëzakonshëm…”.
Në mungesë të të drejtave më elementare qytetare, apo nacionale, arsimore, kulturore, një pjesë e parisë shqiptare, në fillim të viteve tridhjeta, të shekullit të kaluar, ndërmori një sërë aktivitetesh politike dhe organizative, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e shqiptarëve. Si qendër të veprimtarisë ata e zgjodhën pikërisht qytetin e Shkupit. Në ballë të kësaj Lëvizje ishte atdhetari dhe veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Ferhat bej Draga, të cilin e shoqëronin një numër i madh i personaliteteve fetare e kombëtare shqiptare, si myderrizi Rexhep Remzi Abdullahu, Shaban Efendia nga Kumanova, Akshi Sulejmani, profesor në Medresenë e Madhe, Lutfi Ahmeti nga Presheva, Azem Hoxha nga Kumanova, Mulla Idriz Gjilani, Bedri Hamidi nga Shkupi, Kadri Saliu nga Gostivari, Aqif Tetova nga Gjilani, Idriz Ibrahim Cërcëri nga Tetova e shumë e shumë të tjerë. Të gjithë ata bashkëpunonin ngushtë me diplomatët e akredituar shqiptar në Beograd, Shkup e Manastir, siç ishin Asafa Pauli, Rexhep Stabla, Stavre Katundi, Hamit Kokollari etj..
Si rrjedhojë e veprimtarisë së palodhshme të Dragës dhe bashkëpunëtorëve të tij, në tetor të vitit 1936 në Shkup u hap Medreseja Gazi Isa Beu, e cila, për dallim nga Medreseja e Madhe, pati një autonomi më të plotë, për faktin se ajo financohej nga buxheti i Bashkësisë Fetare Islame, përkatësisht Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit. Paralelisht me medresenë, në Shkup hapet edhe Biblioteka Qendrore e Vakëfit, në krye të së cilës nga viti 1939 erdhi Abdullah Musliu, me të cilin H. Bilalli kishte krijuar një miqësi kur që të dy ishin nxënës të gjimnazit të Shkupit. Kjo miqësi u thellua edhe më shumë, pasi tashmë Hasan Bilalli u bë lexues i rregullt i bibliotekës. Aty ai njoftohet me Azem Maranën, asaj kohe nxënës i dalluar në Medresenë Isa Beu. Në atë periudhë kohore, A. Marana së bashku me disa nxënës tjerë të medresesë, kishin themeluar një organizatë ilegale, të cilën e kishin emërtuar si “Organizatë Nacionale Shqiptare”. Në radhët e organizatës u përfshinë një numër i konsiderueshëm i personaliteteve të kohës, në mesin e tyre edhe Hasan Bilalli. Ata përmes konsullit shqiptar në Shkup, Hamit Kokollarit, dhe personaliteteve tjera shqiptare furnizoheshin me literaturë shqiptare. Gjatë viteve 1939 -1941, medresantët e “Gazi Isa Beut” zhvilluan një aktivitet të madh kombëtar. Për shkaqe sigurie, shtëpia e Hasan Bilallit u shndërrua në qendër të Lëvizjes Kombëtare, në të cilën mblidheshin nxënësit e Medresesë “Gazi Isa Beu”, por edhe personalitete të tjera të shquara shqiptare. Aty shpaloseshin qëllimet dhe interesat e kombit shqiptar për të qenë i lirë, i bashkuar dhe i barabartë me popujt tjerë.
VEPRIMTARIA ARSIMORE 1941-1944
Në prag të kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave, Hasan Bilallin e shohim si rekrut në Beograd, përkatësisht në kryerjen e shërbimit të obligueshëm ushtarak. Disa ditë më vonë në Rashkë u zu rob nga ushtria gjermane dhe menjëherë dërgohet në llogoren e Mitrovicës së Kosovës. Aty qëndroi disa ditë, gjegjësisht deri me 25 prill kur arrin të arratiset për t’u vendos në Vushtrri. Së shpejti u punësua te Mustafa Haxhi Rrahmani, një tregtar i njohur në këtë pjesë të Kosovës. Ndërkohë Ministria e Arsimit, duke u mbështetur në Dekretin Mëkëmbësuer të datës12 nëntor 1941, në Prishtinë hapi shkollën normale, e cila zyrtarisht u hap më 22 dhjetor të vitit 1941. Në të u regjistruan mbi 400 nxënës, në mesin e tyre edhe Hasan Bilalli së bashku me dy bashkëveprimtarët e tij të idealit, Azem Maranën dhe Hilmi Shehun. Meqenëse Hasan Bilalli, kishte kryer gjashtë klasë gjimnazi, regjistrohet në klasë të shtatë, ndërsa Azemi dhe Hilmiu, të cilët e kishin mbaruar ciklit e ulët të Medresesë Gazi Isa Beu në Shkup, regjistrohen në klasë të pestë të Normales së Prishtinës.
Ndërkohë, për shkak nevojës së madhe të kuadrit arsimor, në janar të vitit 1942, me propozim të Ministrisë së Arsimit, mëkëmbësi Françesko Jokomoni, shpalli edhe një Dekret tjetër, me të cilin mundësohej hapja e dy kurseve pedagogjike, njërin në Prishtinë e tjetrin në Elbasan. Të drejtë konkurrimi, sipas nenit II pika “a” e Dekretit, patën të gjithë ata të cilët kishin mbaruar gjimnazin, liceun apo ndonjë shkollë teknike tetëvjeçare, shtetërore apo private.
Nga dokumentet që i posedojmë, shohim se në kursin pedagogjik të Prishtinës u regjistruan gjithsej 62 kursistë, në mesin e tyre edhe Hasan Bilalli. Pasi e përfundoi me sukses kursin pedagogjik, me Dekret Ministror, nënshkruar më 9 nëntor 1942 nga ministri i Arsimit, Dr. Xhevat Korça, emërohet “mësues në provë në Shtime” Prefektura e Prishtinës. Më vonë, po me Dekret Ministror, nga Shtimja emërohet mësues në shkollën fillore “Skënderbeu” në qytetin e Podujevës. Përveç tij në atë shkollë punuan edhe këta mësues: Ismail Thaçi – Zymberi, i cili ishte edhe përgjegjës për arsim në nënprefekturën e Podujevës, Reshit Hasani, Sylë Hysa dhe Sulejman Brahimi. Sipas studiuesit të mirënjohur shqiptar, Dr. Abdulla Vokrri, në vitin 1943 në shkollat e Llapit kishin punuar këta mësues: Halit Sulejmani, Faik Zeneli, Maliq Mahmuti, Sylë Hysa, Abdurrahman Mehmedi, Ramadan Jakupi, Halit Bajrami, Idriz Selimi, Faik Ramadani, Nazif Arifi, Hasan Bilalli, Ismail Zyberi, Rashit Hasani, Sylejman Ibrahimi, Shaban Imeri, Ibrahim Hajrullahu, Hysen Ahmet, Hamit Sejdiu, Sabit Haliti, Selman Bajrami, Maliq Zyberi, Qazim Asllani dhe Hasan Hashimi.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, me dekretin 811 të datës 11 prill 1994, e dekoroi mësuesin Hasan Bilalli, për meritat në fushën e arsimit dhe kontributin e dhënë për hapjen e shkollave shqipe gjatë viteve 1941-1944.
VEPRIMTARIA ARSIMORE PAS PËRFUNDIMIT TË LDB-së
Me ripushtimin e Kosovës nga ushtria komuniste jugosllave (tetor nëntor 1944), Hasan Bilalli lëshoi Podujevën për t’u kthyer sërish në Shkup. Ndërkohë, për arsye të njëjta, në Shkup u vendos edhe Azem Marana, i cili nga viti shkollor 1942/43 punonte si mësues në shkollën fillore “Muzaka” në fshatin Gajre të Malësisë së Sharrit. Me vendosjen e këtyre dy personaliteteve të shquara shqiptare, fillojnë edhe lëvizjet e para kombëtare në këtë qytet të lashtë shqiptar. Ata si dashamirës të arsimit shqiptarë, menjëherë posa Ministria e Arsimit shpalli vendimin për hapjen e shkollave fillore, iu drejtuan Dhomës së Arsimit pranë Këshillit të Qytetit për marrjen e lejes së nevojshme për hapjen e shkollës shqipe në Shkup. Kërkesa e tyre fillimisht u hodh poshtë nga autoritetet e qytetit, me arsyetimin se “në Shkup nuk ka shqiptarë, por vetëm turq”, andaj nuk mund të hapet shkollë shqipe, por vetëm turke. Vetëm pasi Azem Marana dhe Hasan Bilalli reaguan deri te organet më të larta arsimore, u mundësua hapja e shkollës shqipe edhe në këtë qytet, mirëpo në shpalljen publike që e nxori Këshilli i Qytetit, qartë vërehej shovinizmi maqedonas kundër shqiptarëve.
“Në qytetin e Shkupit do të hapen shkolla shqipe e turke. Meshkujt myslimanë mund të regjistrohen në shkollën shqipe, ndërsa vajzat vetëm në shkollën turke”.
Pikërisht, një politikë e tillë diskriminuese nga ana e udhëheqjes politike maqedonase, siç vë në dukje Azem Marana para organeve të hetuesisë, solli që në shkollën turke të regjistroheshin 300 deri më 400 vajza, ndërsa në shkollën shqipe vetëm 2- deri 25 vajza. “Kështu – shprehet Azemi – pati raste që vëllau të ishte në shkollën shqipe, ndërsa motra në atë turke”.
HASAN BILALLI, THEMELUES I SHF LIRIA-SHKUP
Ngjashëm sikurse shovinistët maqedonas, vepruan edhe disa elemente shqiptare me pikëpamje orientale, të cilët më vonë në Shkup, themeluan organizatën ilegale turke me emrin “Juxhel”. Ja se si e përshkruante në hetuesi kryetari i “JUXHEL”-it, Shuaip Aziz, fushatën antishqiptare gjatë vitit shkollor 1944/45 në Shkup: “…Në vitin 1945 shqiptarët zhvilluan një fushatë të madhe që thuajse të gjithë fëmijët myslimanë të shkojnë në shkollat shqipe. Si kundërpërgjigje të kësaj, unë (Shuaip Aziz) së bashku me Refik Sherif, mësuesi Sherafedin, Ali Abdyrahman, Fetija Sulejmanpashiq, gjatë bisedës vendosëm ta pengojmë atë aktivitet të shqiptarëve, me atë se do të flasim në Çarshi se secili që e ndien veten turk, le të ngelë si i tillë dhe fëmijët t’i dërgojë në shkollat turke. Këtë vendosëm ta zbatojmë secili përmes miqve dhe dashamirëve të vet. Si rrjedhojë e kësaj propagande, u krijua një urrejtje e madhe midis nesh që ndiheshim si turk dhe shqiptarëve…”.
Shkolla e parë shqipe në Shkup e cila u hap më 1 dhjetor të vitit 1944 mori emrin “Liria”. Në të u regjistruan gjithsej 362 nxënës, të shpërndarë në gjashtë paralele. Mësues të parë, krahas Azem Maranës dhe Hasan Bilallit, ishin edhe: Mahmut Dumani, Anica Lora, Bajram Bajrami, Franjo Sopi, Hajrie Kokoboko dhe Halil Bejta. Së shpejti, falë veprimtarisë së palodhshme të H. Bilallit, A. Maranës dhe bashkëveprimtarëve të tyre, kjo shkollë do të shndërrohet në çerdhe kryesore kombëtare shqiptare, në të cilën hartoheshin planet që kishin për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, jo vetëm në Shkup, por në të gjitha trevat verilindore shqiptare. Ajten Pllana, vajza e veprimtarit të shquar të NDSh-së, Mehmed Mehmedi, mbesa e prof. Ibrahim Kelmendit dhe bashkëshortja e prof. Shefqet Pllanës, e cila së bashku me dy vëllezërit e saj, Amirin dhe Gjynselin, i takonte gjeneratës së parë të asaj shkolle, në librin e saj “Tetëdhjetë vjet tregime” me mallëngjim e përkujton dashurinë prindërore të mësuesve Azem Marana e Hasan Bilalli:
“…Pranvera e vitit 1945 në Shkup. Pas dimrit të padurueshëm, gjelbërimi sikur i dha fuqi popullatës për një jetë më të mirë. Një ditë mësuesi na tha se do të shkonim në shëtitje në Çair – periferi të Shkupit….Që herët në mëngjes, shkolla ‘Liria’ që punonte në Jahja Pasha ishte plot e përplot me nxënës. Ishim të veshur me petkat më të bukura që kishim – sikur të shkonim në ndonjë vizitë, shfaqje ose dasmë…Vajza e djem kishim plisa të bardhë në kokë. Ishte urdhër në shkollë, që sa herë të shkohej diku t’i vinim plisat në kokë. Edhe pse ishim fëmijë të qytetit, neve na pëlqente. Ishte bukur! U rreshtuam. Të gëzuar u nisëm. Rrugës këndonim…Përnjëherë, ndodhi diçka e papritur! Ranë ca pika shiu! “Do të ndalet”, – thonin mësuesit. “Ndalet – ndalet”, porse nuk u ndal! Nuk kaloi shumë, filloi një rrebesh shiu. Nuk kishte vend për strehim…U nisëm për në Shkup. Unë e frikësuar, iu afrova Amirit. Fustani u lag, pikte ujë, ndërsa këpucët antilop u bënë tërë baltë. Shpejt u lodha. Atëherë, mësuesi i Amirit, z. Azem Morana, më mori ngrykë dhe më mbajti gati deri pranë Bit Pazarit. Pastaj më mori ngrykë z. Hasan Bilalli, mësuesi i Gjynselit, dhe më çuan deri në shtëpi.
Vetëm një vit më vonë, mësuesit e të dy vëllezërve të mi, u burgosën si anëtarë të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Të dy mësuesit kishin qenë nxënësit e dajës tim, Ibrahim Kelmendi, profesor i historisë në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë në vitet 1941-1944.
- Azem Morana u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 1947. Populli e vajtoi me heshtje. Z. Hasan Bilalli u dënua me njëzet vjet, e i mbajti dymbëdhjetë. Kujtimi për këta mësues mbeti i pashlyer te ata që i njohën dhe qenë nxënës të tyre. U rrënjos në mendjet tona kujtimi për dy pishtarët të arsimit shqip që deshën drejtësi dhe liri për kombin e vet!…”.
Ngjashëm si në Shkup, rezistencë kundër hapjes së shkollave shqipe pati edhe në viset tjera shqiptare në Maqedoni. Burimet arkivore bëjnë të ditur se nga 971 shkolla fillore që u hapën gjatë vitit shkollor 1944/45, vetëm 50 prej tyre ishin shqiptare, në të cilat u përfshinë 3.975 nxënës, nga 85.100 sa pati në mbarë vendi, ose rreth 4%.
Në ndër kohë, me vendim të ministrit të Arsimit Popullor, Nikolla Minçev, në Shkup u hap kursi tremujor për mësues të shkollave fillore në gjuhën shqipe. Për ligjërues të kursit u caktuan këta pedagog: Tehla Çela, referent pranë Ministrisë së Arsimit, Mamut Dumani, referent për rrethin e Shkupit, Jonuz Balla, referent për rrethin e Tetovës, Sami Lamçe, referent për rrethin e Gostivarit, Enver Paluku, referent për rrethin e Strugës, Hikmet Kasapi, mësimdhënës në gjimnazin e Tetovës, Xhevair Shaqiri, mësimdhënës në gjimnazin e Tetovës, Idriz Salimi, mësimdhënës në gjimnazin e ulët të Gostivarit, Xhafer Narazani, drejtues në shkollën shqipe në Strugë, Josif Todi, drejtues në shkollën shqipe në Manastir dhe Remzi Papraniku, mësues në qytetin e Dibrës. Në mbarim të kursit u aftësuan gjithsej 277 mësues shqiptarë, dhjetë prej tyre, u shpallën si mësues të përhershëm, ndërsa të tjerët u emëruan si mësues të përkohshëm. Në mesin e dhjetë mësuesve të përhershëm ishte edhe Hasan Bilalli.
RËNDËSIA PËR SHKOLLIMIN NË SHQIP
Me aftësimin e kuadrit arsimor, u krijuan kushtet për zgjerimin e rrjetit shkollor fillor në gjuhën shqipe. Burimet arkivore bëjnë të ditur se në vitin shkollor 1945/46, në Maqedoni gjithsej funksiononin 1054 shkolla fillore, prej tyre 157 në gjuhën shqipe, 905 në gjuhën maqedonase, 62 në gjuhën turke dhe 11 në gjuhën serbo-kroate. Krahas shkollave, rritet edhe numri i nxënësve shqiptarë, i cili në këtë vit shkollor arrin në 12.359 nxënës, nga gjithsej 111.196 nxënës, ose mbi 10% nga numri i përgjithshëm. Është për t’u theksuar fakti se rol të rëndësishëm, mësuesit shqiptarë patën edhe në përcaktimin e plan-programit mësimor të lëndës së historisë e të gjeografisë për shkollat shqipe, që ishte i veçantë nga ato maqedonase. Kështu, në lëndën e historisë për klasën e katërt fillore me mësim në gjuhën shqipe, në vitin shkollor 1945/46, krahas njësive të përgjithshme, ishin përfshi edhe këto njësi të historisë kombëtare:
“1. Ilirët. Ku kanë jetuar, feja e tyre, doket, karakteri, jeta dhe veprimtaria. Fiset: Dardanët, Ardianët, Liburnët, Dalmatët, Japodët. Mbretërit Ilir: Bardhyli, Pleurati, Agroni, Teuta, Genci.
- Okupimi i Shqipërisë nga Romakët. Perandoria Bizante.
- Principatat e lira shqiptare, Mbretëria e Balshëve, Venediku dhe paria Shqiptare (Kastriotët: Gjon Kastrioti lufton dhe robërohet prej turqve. Marrja peng e të katër fëmijëve nga Sulltani. Skënderbeu (Gjergj Kastrioti): jeta, rritja, mësimi dhe shkathtësia, linjat e tij karakteristike dhe heroike, dashuria ndaj atdheut, kthimi në Shqipëri. Ngritja e flamurit në Krujë, 28 nëntor 1943. Kongresi i Lezhës 1944, bashkimi i principatave shqiptare dhe vendimi për ruajtjen e atdheut. Luftërat e Skënderbeut kundër turqve 1944-1947. Vdekja e Skënderbeut.
- Marrja e Shqipërisë nga Turqit dhe shpërngulja e shqiptarëve në vendet e huaja. Kryengritjet për liri kundër turqve.
- Kongresi i Berlinit dhe Rilindja Shqiptare. Lufta për çlirimin e vet nacional. Lidhja e Prizrenit 1878 dhe qëllimet përparimtare të saj.
- Luftërat Ballkanike, pavarësia e Shqipërisë, Ismail Qemal Vlora, 28 nëntori i vitit 1912.
- Lufta e Parë Botërore 1914-1918 dhe shkaqet e saj. Okupimi austro-hungarez, bullgar dhe italian i Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës, vendimi i tërë kombit shqiptarë për ruajtjen e atdheut. Marrëdhëniet politike dhe shoqërore të Shqipërisë. Lufta e Dytë Botërore. Marrja e Shqipërisë nga Italia 7 prill 1939… etj.”. (vijon në nesër)