Burimet sekrete maqedonase hedhin dritë se numri i të burgosurve shqiptarë në RP të Maqedonisë deri në vitin 1949 arrinte shifrën prej 887 vetëve. 360 prej tyre qenë dënuar si veprimtar aktiv në njësitë guerile shqiptare, të cilat vepronin në trevat Verilindore; 76 persona (44 prej tyre mësues) për shkak veprimtarisë së tyre atdhetare në kuadër të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare; 265 si jatak të njësive guerile shqiptare; 96 të tjerë qenë dënuar gjoja si “bashkëpunëtor” të okupatorit; 77 për propagandë “armiqësore” dhe 13 për shkak kryerjes së “sabotimit dhe diversionit”
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Përveç shkollimit të fëmijëve, rëndësi të veçantë mësuesit e SHF “LIRIA” i dhanë edhe kurseve kundër analfabetizmit. Gazeta e kohës në gjuhën shqipe, “Flaka e Vëllazërimit”, informonte se në qytetin e Shkupit ishin hapur dy kurse kundër analfabetizmit, “njëri në Sh.F. Irfan, nën drejtimin e mësuesve Hasan Bilalli dhe Bajram Bajrami dhe tjetri në shkollën Tefejuz, nën drejtimin e mësuesit Muhamet Sopoti” dhe se së shpejti do të hapej edhe një kurs tjetër “nën drejtimin e mësuesit Azem Marana në xhaminë Haxhi Ballaban”.
Shkollat fillore katërvjeçare shqipe, në fillim të vitit shkollor 1946/47, përjetuan një tmerr të paparë, të cilin e inicioi dhe e krijoi vetë qeveria, me masat represive që i ndërmori gjatë muajve korrik-gusht 1946 kundër inteligjencës shqiptare, ku më të goditur ishin mësuesit. Gjatë asaj periudhe kohore do të arrestohen një numër i madh i mësuesve shqiptarë, me arsyetim se janë anëtarë të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, në mesin e tyre edhe Hasan Bilalli, Azem Marana dhe Mahmut Dumani.
VEPRIMTARIA NË ORGANIZATËN NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE
Hasan Bilalli së bashku me Azem Maranën dhe Mahmut Dumanin përveç se si themelues të shkollave shqipe, konsiderohen edhe si shtyllat kryesore të nacionalizmës shqiptare në qytetin e Shkupit dhe jo vetëm. Pikërisht nga ky tresh, të ndihmuar edhe nga disa atdhetarë tjerë të Shkupit me rrethinë, siç ishin Hysniqemal Ejupi, Qemal Qazimi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi, gjatë dimrit të vitit 1945 u themelua organizata Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), qëllimi final i së cilës ishte: çlirimi i tokave të ripushtuara nga ushtria komuniste jugosllave, rrënimi i regjimit komunist në shtetin shqiptar dhe krijimi i Shqipërisë së lirë properëndimore me kufijtë e saj etnik.
Falë guximit intelektual të Hasan Bilallit, së shpejti asaj organizate iu bashkangjitën edhe shumë atdhetarë tjerë si: Bajram Bajrami, Abdylqerim Seiti, Qemal Skënderi, Mexhit Zyberi, Xhemal Kasami – Fera, Xhavit Abdullah Selimi, Zylbehar Ajvazi, Mehmed Mehmedi, Hajdar Efendiu, Sami Shabedini e tjerë. Kontributi i tij erdhi në shprehje veçmas gjatë ardhjes dhe qëndrimit ilegal në Shkup të prof. Ibrahim Haki – Kelmendit, në muajin gusht të vitit 1945. Në atë kohë, përmes Xhavit Selimit, arriti të vendos lidhje me konsullin turk në Shkup, Emin Vefa Geçek, të cilit ia dorëzoi letrën e prof. Kelmendit, në të cilën përveç tjerash kërkohej ndërhyrja e këtij të fundit te organizata turke “Juxhel”, me në krye Shaip Azis dhe Fetija Sulejmanpashiq, të cilët jo që nuk dëshironin të bashkëpunonin me organizatën shqiptare NDSH-ë, por bënin çmos që ta pengonin veprimtarinë dhe zgjerimin e saj, duke zhvilluar një fushatë të gjerë “se në Shkup nuk ka shqiptar”, se gjoja “të gjithë myslimanët e këtij qyteti janë turq,” prandaj këtu nuk duhet të hapen shkolla shqipe por vetëm turke etj. Në vjeshtë të atij viti, së bashku me Azem Maranën, Abdulla Musliun dhe Abdylqerim Seitin, e shumëzojnë dhe shpërndajnë Proklamatën e dalë nga Kongresi I (III) i NDSh-së, punimet e të cilit siç dihet u zhvilluan më 15-16 gusht 1945 në Kopilaçe, e në të cilin Komitetin e Shkupit e përfaqësuan Qemal Skenderi dhe Mexhit Zyberi.
Në pranverë të vitit 1946, së bashku me Azem Maranën mbajtën një takim shumë të rëndësishëm me Gjon Serreçin dhe Hamdi Berishën, në të cilin takim siç provohet nga burimet e kësaj monografie, është vendos për veprimtarinë e mëtutjeshme të organizatës. Po në atë periudhë kohore, në Shkup vijnë edhe shumë personalitete tjera të dijes e të pushkës si: Mehmed Bushi, Hysni Rudi, Halim Orana etj., të cilët në bashkëveprim me Komitetin e NDSH-së së Shkupit, të cilit i prinin Azem Marana, Hasan Bilalli dhe Qemal Skenderi organizuan Kongresin e Katërt të organizatës, në të cilin u formua Komiteti Qendror i NDSh-së me seli në Shkup si dhe u sollën dy dokumente me rëndësi historike: Programi dhe Skema e organizatës.
Hasan Bilalli, si njëri ndër anëtarët më të ngushtë dhe më të besueshëm të Komitetit Qendror, pati për detyrë të mbaj lidhje dhe kontakte me të gjitha komitetet e NDSH-së që vepronin në Kosovë. Gjatë aksionit të gjerë të policisë jugosllave-maqedonase për arrestimin e krerëve më të lartë të NDSh-së (22 korrik 1946), Hasan Bilalli, pasi arriti t’i shmanget arrestimit, udhëtoi për në Drenicë, përkatësisht në Zonën nr. 2 të Organizatës, në krye të së cilës ishin dy figurat e shquara shqiptare: Ajet Gërguri dhe Gjon Serreçi. Së bashku me ta dhe me veprimtarë tjerë të organizatës, më 25 korrik në kushte të jashtëzakonshme, organizuan dhe e mbajtën Kongresin e Pestë të saj, në të cilin siç dihet kanë vendosur që përkohësisht të kalojnë në Greqi. Gjatë kalimit të kufirit shqiptaro-grek, bije në duart e komunistëve grekë, të cilët e dorëzojnë deri te autoritetet zyrtare shqiptare. Këta të fundit e burgosin dhe pas më shumë se gjashtë muajve paraburgim, më 21 janar 1947 e depërtojnë në Jugosllavi, përkatësisht në Shkup, ku nga ana e Gjyqit të Qarkut të këtij qyteti, më datë 26 janar – 7 shkurt 1947 u mbajt procesi gjyqësor kundër19 anëtarëve të KQ të NDSh-së, në të cilin u shqiptuan dënime të rënda, katër prej tyre u dënuan me vdekje pushkatim. Në atë proces, me propozim të prokurorit publik të RP të Maqedonisë, u përfshi edhe Hasan Bilalli, i cili si i akuzuari i katërt mori dënimin e rëndë prej 20 vjet heqje lirie.
JETA DHE VEPRIMTARIA GJATË VUAJTJES SË DËNIMIT
Menjëherë pasi Gjyqi Suprem i RP të Maqedonisë miratoi vendimin e shkallës së parë, me të cilin siç u tha më lartë, u sollën vendime të rënda (katër prej tyre u dënuan me vdekje pushkatim, dy me nga 20 vjet burg të rëndë, një me 18 vjet, dy me nga 15 vjet heqje lirie, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me 8 vjet, dy me nga 6 vjet, dy me nga 4 vjet, një me 3 vjet dhe dy me nga 2 vjet heqje lirie., apo gjithsej 145 vjet burg të rëndë), të dënuarit nga burgu i qytetit të Shkupit u dërguan për ta vuajtur dënimin në burgun e Idrizovës. Në mesin e tyre edhe katër të dënuarit me vdekje pushkatim: Qemal Skenderi, Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmed Bushi, për arsye se atyre formalisht u jepej edhe një mundësi ankimi, përkatësisht lutje për zbutjen e dënimit deri te Presidiumi i Kuvendit Popullor të RFP të Jugosllavisë, të cilën edhe e shfrytëzuan. Rrjedhimisht, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RFPJ-së, më datë 7 mars1947, pasi shqyrtoi një nga një lutjet e katër të dënuarve, solli vendimin me nr. 925, në të cilin thuhej shprehimisht:
“1. Që lutjet për zbutje të dënimit të Azem Idriz Maranës, Hysni Muharrem Rudit dhe Mehmed Nezir Bushit, të dënuar me dënim me vdekje-pushkatim, me vendimin e plotfuqishëm të gjyqit popullor të Qarkut Shkup V.P. nr.8/47 nga 7 shkurti 1947 nuk PRANOHEN.
- Që lutja për zbutje të dënimit të Qemal Halim Skenderit, i dënuar me dënim me vdekje-pushkatim, me vendimin e plotfuqishëm të gjyqit popullor të Qarkut të Shkupit V.P. nr. 8/47 nga 7 shkurti viti 1947 PRANOHET.
- Që të dënuarit Qemal Halim Skenderit t’i zëvendësohet dënimi me vdekje-pushkatim me dënim heqje lirie me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vjet, ndërsa dënimi i dhënë humbja e përhershme e të drejtës politike dhe disa të drejtave qytetare, të zëvendësohet me dënim humbje e të drejtave politike e disa qytetare, përveç prindërore, në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjet”.
Siç shihet Presidiumi i Kuvendit Popullor i RFPJ-së, nga katër lutjet, çuditërisht pranoi vetëm atë të Qemal Skenderit, edhe pse, siç u pa më lartë, në procesin gjyqësor të zhvilluar nga Gjyqi i Qarkut të Shkupit (26 janar – 7 shkurt 1947) ishte i akuzuari i parë. Pasi lutjet e Azem Maranës, Hysni Rudit e Mehmed Bushit u hodhën poshtë, të njëjtit u pushkatuan më datë 19 maj 1947 në ora 21,00. Pushkatimi u krye nga komisioni në përbërje: Reis Shaqiri – kryeshef i Drejtorisë për Punë të Brendshme -Shkup, si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RPM-së, Jovan Dukovski, ndihmës prokurori si përfaqësues i Prokurorisë Publike të RPM-së dhe Gjorgji Gavrillski, ndihmës ministër si përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë Popullore të RPM-së.
Në burgun e Idrizovës u sollën edhe anëtarët tjerë të NDSh-së, të cilët qenë dënuar ndaras nga 19 anëtarët e sipërpërmendur, si anëtarët e Komitetit të Tetovës e të Dervenit: Nexhmedin Besimi -Sezairi, Hetem Tahiri, Xhevair Shaqiri, Suad Mehmedi, Jetish Vishi, Abdylfari Ademi dhe Ymer Saliu, të cilët qenë dënuar më 24 mars të vitit 1947 nga ana e Gjyqit Ushtarak – Divizionit në Tetovë, pastaj: Mehmed Mehmedi, Mahmud Sopi, Ajdin Bislimi, Shukri Fejzullhau, Iljaz Sherifi, Mehmed Hasani, Mehmed Limani, Sait Saiti, Ferat Jakupi dhe Sadik Sadiku, të cilët qenë dënuar po nga Gjyqi i Qarkut të Shkupit, më 18 dhjetor të vitit 1946, si anëtar të Komitetit të NDSh-së së Shkupit etj.. Duhet të vëmë në dukje faktin se gjatë viteve 1947-1949, për vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës qenë dërguar edhe një numër i konsiderueshëm i hoxhallarëve, të cilët gjithashtu akuzoheshin si veprimtar të NDSh-së. Në mesin e tyre duhet veçuar: Feta efendi Raufin, Mehmed efendi Sadikun, Ferat efendi Ibrahimin, Xhemail efendi Xhemailin, Shaban Efendinë, Garip Beadinin, hfz. Abdullah Abdullahun, Sait Hoxhën etj. Ndërkohë, pas Rezolutës së Informbyrosë (korrik 1948), atyre iu bashkëngjitën edhe grupi “informbyroistë”, ku si më të dalluar ishin Qemal Agolli, Shaban Horvati, Idriz Lleshi etj..
Më herët, në atë shtëpi ndëshkuese korrektuese dënimin e vuanin një numër i madh i të burgosurve politik shqiptar, figura të shquara të dijes e të pushkës, të cilët gjyqet e atëhershme komuniste jugosllave i kishin dënuar gjoja se të njëjtit kishin “bashkëpunuar” me pushtuesit nazi-fashistë, e të cilët konsideroheshin si ballistë. Ata, në fakt ishin nacionalistë të shquar shqiptar të cilët nuk kishin pranuar që tokat shqiptare sërish të ripushtoheshin nga jugosllavët. Të njëjtit, gjatë viteve 1943-1944 qenë rreshtuar në organizatën e Lidhjes II të Prizrenit, në kuadër të së cilës vepronin njësi të armatosura vullnetare të cilat ndryshe njiheshin si forca kreshnike. Ndër personalitet më të shquara të këtij grupimi politik ishin: Skender Kadriu-Presheva, Idriz Ibrahimi – Cërcëri, Emin Roshi, Gajur Deralla, Hasan Deralla, hoxhë Sherif Jashar Sherifi nga Manastiri, Ibrahim Labënishti, Sami Jakupi, Nezir Beluli, Rushan Hoda, Abdyl Dervishi, Vedat Bekçe e shumë të tjerë.
Burimet sekrete maqedonase hedhin dritë se numri i të burgosurve shqiptarë në RP të Maqedonisë deri në vitin 1949 arrinte shifrën prej 887 vetëve. 360 prej tyre qenë dënuar si veprimtar aktiv në njësitë guerile shqiptare, të cilat vepronin në trevat Verilindore; 76 persona (44 prej tyre mësues) për shkak veprimtarisë së tyre atdhetare në kuadër të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare; 265 si jatak të njësive guerile shqiptare; 96 të tjerë qenë dënuar gjoja si “bashkëpunëtor” të okupatorit; 77 për propagandë “armiqësore” dhe 13 për shkak kryerjes së “sabotimit dhe diversionit”. Thuajse të gjithë ata dënimin e vuanin në Idrizovë, me përjashtim të atyre të cilët qenë dënuar gjatë viteve 1948/49, pjesë dërmuese e të cilëve qenë dërguar në burgun famëkeq të Goli Otokut.
Përveç këtyre grupimeve të të burgosurve politik shqiptar, në burgun e Idrizovës dënimin e vuanin edhe grupimi politik turk, i njohur si “Juxhelistë”, në krye me Shaip Isak dhe Fetija Sulejmanpashiq, dhe grupimi politik maqedonas VMRO, që ndryshe njihej edhe si “Vançovistë”. Burimet e proveniencës policore jugosllave, na bëjnë me dije se në mesin e të gjitha atyre grupimeve të përmendur më lartë, si më i rrezikshëm për organet e shërbimit sekret jugosllav UDB-ë, përbënte “grupimi politik i NDSh-së”, në krye me Hasan Bilallin, Qemal Skenderin, Hajdar Efendinë, Nexhmedin Besimin, Xhemal Kasamin – Ferën, Suad Mehmedin etj. Gjithnjë duke u mbështetur në këto burime, rrezikshmëria e këtij grupimi politik shqiptar, veçmas kishte ardhur në shprehje pasi “në Angli” pushteti sërish ra në duart e partisë konservative të Çerçilit:
“…Më herët NDSh-istët – thuhet në dokument – në burg nuk paraqisnin asgjë, përkatësisht nuk pati autoritet para pakicës nacionale shqiptare. Mirëpo, sot ajo organizatë është autoritare, sidomos pasi në Angli erdhi në pushtet partia konservatore e Çerçilit. Po vërehet gjallërimi i asaj organizate. Me vendosjen e personave të ri – shqiptarë në këtë burg menjëherë pranohen nga këta njerëz. Hasan Bilalli, Qemal Skenderi, Hajdar Hoxha etj.. Ja një shembull karakteristik: Hasan Bilalli i afrohet Idriz Lleshit, nxënës, i dënuar për shkak tentimit të arratisjes në Shqipëri dhe gjatë bisedës i thotë: ‘A ndihesh idealist ose materialist’, për çka Idrizi nuk mundi t’i përgjigjet. Atëherë Hasan Bilalli i ka thënë ‘sot shqiptarët duhet të jenë solidarë-të bashkuar midis veti dhe se duhet tonën ta kërkojmë vazhdimisht’…etj.”.
Shihet qartë roli i Hasan Bilallit, i cili përkundër dallimeve ideologjike që kishte me disa të burgosur politik shqiptar, veçmas me “informbyroistët”, ai bënte çmos që të burgosurit shqiptar të jenë sa më afër njëri tjetrit, sepse vetëm në atë mënyrë mund t’u bënin ballë shpifjeve dhe trillimeve të shumta të organeve të sigurimit shtetëror, të cilat për qëllim kishin përçarjen, përkatësisht krijimin e një hendeku sa më të madh midis tyre. Kjo provohet nga biseda që H. Bilalli e kishte zhvilluar me një të burgosur politik shqiptar, e cila bisedë përcillet deri te organet e UDB-së:
“…Me ne sillen sikur me kafshët, si do të përmirësohemi kur jemi të uritur. Do apo nuk do je i detyruar të jesh kundër së sotshmes. Çfarë demokracie është kjo kur njeriu nuk guxon t’i shpreh mendimet e veta. Posa t’u thuash atë që e ke në zemër, menjëherë të burgosin, prandaj burgjet janë të mbushura si asnjëherë më parë. Vetëm ta kemi shëndetin, atëherë edhe ne do ta themi fjalën tonë, a kjo na qenka kultura e shekullit XX. Njëri më tha: ‘Ne nuk jemi të mirë, prandaj jemi këtu’, ndërsa unë ia ktheva: ‘ne jemi të mirë, por ata janë të prishur të cilët na kanë sjell këtu’. Kam pas një shok i cili gjithnjë ka qenë revolucionar, mirëpo pasi e ka parë këtë padrejtësi menjëherë kaloi në organizatën e NDSh-së…”.
Hasan Bilalli dhe grupimi i tij politik urrejtje të madhe pati ndaj “juxhelistëve”, veçmas ndaj Fetija Sulejmanpashiqit, për të cilin ai dhe bashkëveprimtarët e tij vlerësonin se “ishte djalli më i madh i cili i udhëheqë anëtarët e Juxhelit”. Kjo urrejtje vinte për dy arsye: e para, për arsye se, që nga vitet 1945-1946, “juxhelistët” fëmijët shqiptarë i kishin detyruar të mos shkonin në shkollat shqipe, por në shkollat turke; dhe e dyta, për arsye se “juxhelistët” kishin deklaruar se do të jenë qytetar lojalë dhe besnik ndaj RFPJ-së, që kjo para syve të NDSh-istëve, konsiderohej si tradhti ndaj aspiratave të tyre dhe si dobësi e juxhelistëve. Thënë ndryshe, anëtarët e NDSH-së konsideronin se anëtarët e JUXHEL-it, ishin njerëz pa as çfarë ndjenjash nacionale dhe se si të tillë “ata meritojnë urrejtje të përgjithshme”. Qëndrim të tillë ndaj anëtarëve të JUXHEL-it, krahas Hasan Bilallit, patën edhe anëtarët tjerë të NDSh-së, të cilët dënimin e vuanin në Burgun e Idrizovës, si: Jonuz Balla, Nexhmedin Sezairi, Qemal Skenderi, Hajdar Efendiu etj.. Po kështu mendonin edhe të burgosurit politik shqiptar, të cilët i takonin grupimit të “ballistëve”, të cilët siç theksohet në një dokument, shprehnin habinë e tyre se si “ka mundësi që ata të prezantohen si përfaqësues të turqve kur nuk janë turq; si të tillë, si kanë mundur të jenë në organizatën e Juxhelit. E natyrshme do të ishte që ata të ishin anëtarë të NDSh-së…”.
Një konstatim i tillë ishte mase e drejtë, për faktin se kryetari i “JUXHELIT”, Shaip Aziz Isak, për nga gjaku dhe gjuha ishte shqiptar i pastërt, sepse prejardhja e tij ishte nga fshati Cërnivër i Karshijakës së Shkupit, përkatësisht kushëri i Feta Efendisë. Po kështu ishte edhe me anëtarët tjerë të asaj organizate, prejardhja e të cilëve ose ishte e pastër shqiptare ose shqiptare e boshnjakizuar, përkatësisht sanxhakli (Fetija Sulejmanpashiq etj.), të cilët për shkak dëshirës së tyre për t’u shpërngulur në Turqi, ishin deklaruar si turq.
Është me interes të theksohet fakti se Hasan Bilalli dhe anëtarët tjerë të NDSh-së, të cilët vuanin dënimin në Idrizovë, asnjëherë nuk ishin tërhequr nga qëndrimet e organizatës së tyre, përkundër dhunës dhe terrorit të përjetuar nga organet e sigurimit shtetëror. Përkundrazi, siç pohojnë dokumentet e kohës, ata konsideronin se “NDSH-ë si organizatë” ka pas qëndrim të drejtë dhe se do të ishte gabim tërheqja nga ai qëndrim:
“…Hasan Bilalli – thuhet në një prej këtyre dokumenteve- thekson se asnjëherë nuk ka qenë në rrugë të gabueshme, madje hidhërohet nëse dikush i thotë se është përmirësuar. Atëherë ai reagon me fjalët: ‘Mos më hidhëro, unë asnjëherë nuk kam qenë i prishur që të përmirësohem’. Qëndrim të njëjtë ka edhe Qemal Skenderi. Ndërkohë, Jonuz Balla e më së shumti Nexhmedin Sezairi janë njerëz të cilët kanë ndjenjat e njëjta, mirëpo rezervohen dhe mendimet nuk i shpalosin publikisht, por sërish qëndrojnë në rrugë të njëjtë me të parët…”.
Si rrjedhojë e këtij qëndrimi, ata urreheshin jo vetëm nga pushtetarët maqedonas, por edhe nga”informbyroistët” shqiptarë, në radhë të parë nga Qemal Agolli dhe Shaban Horvati si protagonistë kryesor të kësaj ideologjie stalinisto-enveriane. Sipas një informate të UDB-së, Q. Agolli dhe Sh. Horvati, deri diku e respektonin Nexhmedin Besimin “si njeri me karakter të mirë”, ndërsa ata fare nuk kishin tolerancë ndaj Hasan Bilallit dhe Qemal Skenderit, pasi siç vihet në pah, “te ta shohin nacionalizëm të madh i cili kalon në shovinizëm”. Marrë në përgjithësi Qemal Agolli dhe Shaban Horvati te NDSh-istët shihnin “armikun e tyre klasor”.
Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RFPJ-së, në vitin 1951, dënimi prej 20 vjet i zvogëlohet në 15 vjet heqje lirie. Një vendim i tillë si duket fare nuk ndikoi në ndryshimin e qëndrimeve të mëparshme të tij. Kjo shihet nga një biseda e zhvilluar midis tij dhe një të burgosuri politik, i cili nga drejtoria e burgut ishte ngarkuar ta përcillte në hap Hasan Bilallin. Lidhur ketë, më 26 janar 1952, i raportonte drejtorisë së burgut me sa vijon: “Një ditë ramë në bisedë me Hasan Bilallin, unë ia urova zbutjen e dënimit, por ja si m’u përgjigj ai: nuk gëzohem për zbutjen e dënimit, sepse unë as që e pres atë. Nuk e di se çfarë deshi të më thotë me atë, se në Kosovë ka njerëz të cilën kujdesën për të, e më pas më foli se si tash kufijtë janë të mbushur plot me ushtri dhe se së shpejti do të çlirohemi”.
Nga viti 1953, për shkak përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, disi pasivizohet duke iu shmang debateve që zhvilloheshin midis të burgosurve. Pa dyshim se përkeqësimi i shëndetit erdhi si pasojë e torturave fizike e psikike të përjetuar nga ana e oficerëve të sigurimit shtetëror, të cilët personalitetin e Hasan Bilallit vazhdonin ta trajtonin si “armik të popullit dhe të shtetit”. Këtë e shohim nga dokumenti i hartuar në janar të vitit 1953, me të cilin të besuarit e UDB-së i përshkruajnë karakteristikat e tij deri në vitin 1952: “I dënuari Hasan Bilalli ka qëndrim të padrejtë dhe politikisht vepron në linjën e NDSh-së, i cili si i tillë në përmasa të caktuara paraqet problem në mesin e të dënuarve tjerë nga radhët e shqiptarëve. Për një qëndrim të tillë në këtë shtëpi, nga ana jonë është ftuar 2-3 herë në bisedë informative…”. (vijon nesër)