Në vitin 2015, Qyteti i Shkupit ka paguar 12.500 euro për kronika televizive për të arriturat e saj, ndërsa Qeveria e tanishme nuk pret që dikush tjetër ta fotografojë, por është furnizuar me foto-pajisje me vlerë prej 36.000 euro dhe pajisje televizive në vlerë prej 10 mijë euro. Raporti i Revizionit tregon se nga viti 2013 deri në vitin 2017, harxhimet për rroga janë rritur për rreth 50 milionë euro për pesë vite, ndërsa investimet kapitale janë zvogëluar për 25 milionë euro
Destan JONUZI
Shkup, 3 qershor – Një e treta e kursimeve të qytetarëve derdhet në arkën shtetërore. Por, çfarë bëhet dhe ku shkojnë ato para? Të dhënat e Raportit të Revizionit Shtetëror mbi arkën shtetëror për periudhën 2015-2018, tregon se pjesa më e madhe e të ardhurave të shtetit janë siguruar nga tatimet që i paguajnë qytetarët. Një qytetar i rëndomtë e financon shtetin më së paku nëpërmjet 5 tatimeve: tatimin mbi të ardhurat, taksa mbi të ardhurat, TVSH, akciza dhe dogana. E gjithë kjo fitohet nga parat që i fitojnë ata ose shtohen në çmimet që i paguajnë qytetarët, shkruan gazeta KOHA.
Nëse analizohet Raporti i Revizionit për shpenzimet e Sekretariatit i Përgjithshëm të Qeverisë, Shërbimit të Përgjithshëm dhe të Përbashkët të Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Fondit për sigurim pensionalë, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Agjencisë së Punësimit, Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë, Buxheti gjyqësor, Qytetit të Shkupit, mund të konstatohet se paratë e qytetarëve institucionet i shpenzojnë në mënyrë të pakontrolluar. Të dhënat e Revizionit 2015-2018 për shpenzimet e institucioneve, ku përfshihen dy vite të qeverisjes së kaluar dhe dy të tanishmes, thonë se janë shpallur dhe publikuar 6000 marrëveshje me kompani private në sistemin elektronik të furnizimeve publike. Ndërkohë për realizimin e tyre janë dhënë 19 raporte revizioni.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve harxhon shuma milionëshe që t’i nxjerrë vendbanimet nga shekulli 19, duke ndërtuar rrjete të ujësjellësit, kanalizime etj. Por, për katër vite kanë ndarë edhe para për vetura zyrtare, më saktë 90 mijë euro për gjashtë vetura. Ndërsa në vitin 2015 ka paguar 5700 euro për Fletushkën e projekteve të realizuara. Po të njëjtin vit, Qyteti i Shkupit ka paguar 12.500 euro për kronika televizive për të arriturat e saj. Nga ana tjetër, Qeveria e tanishme nuk pret që dikush tjetër ta fotografojë. Kështu që është furnizuar me foto-pajisje me vlerë prej 36.000 euro dhe pajisje televizive në vlerë prej 10 mijë euro.
Ministria e Mbrojtjes më së shumti ka shpenzuar për karburante, uniforma dhe pajisje, por një shtëpizë për qen ushtarak i ka kushtuar 200 euro. Ministria e Shëndetësisë më së shumti ka harxhuar për ilaçe, mjete medicinale dhe për nevojat tjera të shtëpive të shëndetit. Por, nëse ndonjëherë jeni gjetur në situatë pa rrugëdalje në parkingun e Klinikës Universitare në Shkup, duhet të dini se në vitin 2016 janë harxhuar 8000 euro vetëm për një projekt për regjim të përkohshëm parkingu derisa po ndërtoheshin objekte. Fondi për Shëndetësi ka nënshkruar marrëveshje për larjen e veturave në vlerë prej 270 denarë për shërbim, i cili shërbim në shumë vende të qytetit në Shkup kushton maksimumi 200 denarë. Agjencia për Mbështetje Financiare të Bujqësisë ka blerë laptope për administratën e saj, ndërsa një ka kushtuar 1100 euro, raporton KOHA.
Tenderi më i madh i Qytetit të Shkupit ka qenë për lyerjen e fasadave të ndërtesave në qendër të qytetit, ndërsa i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vikend falas për pensionistët me marrëveshje të nënshkruar pesë ditë para fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016. Ministria e Arsimit dhe Shkencës për çdo vit shpenzon miliona euro për furnizime me libra nga firmat e njëjta pa shpallur tender. Nga ana tjetër shteti nuk është pronar i të drejtave autoriale të librave të saj dhe gjithçka varet nga firmat që i kanë botuar. Qeveria e tanishme e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev për dy vite ka harxhuar rreth 10 milionë euro vetëm për programin e quajtur “Reforma në administratën publike”, nga të cilat 99.5 për qind e mjeteve janë shpenzuar për përfaqësim adekuat në administratë të bashkësive, gjegjësisht punësime, ndërsa 0.5 për qind për trajnim profesional. Dy shtylla që më së shumti krahasohen në buxhet është se sa para shteti harxhon për rroga dhe sa për investime kapitale. Raporti i Revizionit tregon se nga viti 2013 deri në vitin 2017, harxhimet për rroga janë rritur për rreth 50 milionë euro për pesë vite, kjo nëse kalkulohet – është sa rrogat mesatare të 7000 qytetarëve. Në të njëjtën periudhë, investimet kapitale janë zvogëluar për 25 milionë euro. Të punësuarit në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve kanë fituar mëditje për punë jashtë orarit të punës. (koha.mk)