Observatori i futbollit CIES, ka bërë bilancin e transferimeve në verë në kampionatet kryesore duke marrë për bazë atë që përllogarit ai si vlerën e futbollistit dhe shifrën që është paguar nga klubi përkatës për ta blerë. Duke bërë të gjitha llogaritë, rezulton se blerja më e goditur në merkaton e verës është ajo që ka bërë Real Madrid. Spanjollët afruan Tibo Kurtua, duke shpenzuar sipas CIES 23 milionë euro më pak sesa është vlera e futbollistit në treg. Ndërsa Çelsi, për të zëvendësuar atë bëri përllogaritjen më të goditur, duke shpenzuar 45 milionë euro më shumë sesa vlen realisht Kepa Arrizabalaga. Rodri Hernandez, Brajan Kristante, Fabinjo Tavares dhe Klement Lengle plotësojnë listën e 5 transferimeve më të vlefshme gjatë merkatos së verës. Për Rodri dhe Lengle, diferencën e bëri fakti se kishin një klauzolë largimi që ndihmoi klubet t’i shkëputnin nën çmimin e tregut. Ndërkohë, si transferime për të cilat është ekzagjeruar me shifrat, bien në sy edhe emrat e Rijad Mahrez, Tilo Kehrer, Jerri Mina dhe Aleks Meret.