Nga gjithsej 70 lokale sa kanë funksionuar në fillim kur u hap kjo qendër, tashmë kanë ngelur vetëm disa biznese të vogla që funksionojnë, por edhe ata ankohen se puna gjithnjë është më edhe më e pakët. Pjesa dërmuese e lokaleve janë të mbyllura dhe shihen mbishkrimet “Jepet me qira”
Urim HASIPI
Tetovë, 17 prill – Pronarët e lokaleve që punojnë në qendrën tregtare “Saranda” që njihet edhe si kompleksi i vjetër, ankohen se nëse nuk merren masa që të rivitalizohet e njëjta me infrastrukturë të nevojshme, atëherë këtë kompleks e presin ditë të zeza dhe nuk përjashtohet mundësia të mbyllet përgjithmonë, shkruan gazeta KOHA. Që kur është ndërtuar e deri më tash nuk është bërë asnjë investim në këtë pjesë.
Nga gjithsej 70 lokale sa kanë funksionuar në fillim kur u hap kjo qendër, tashmë kanë ngelur vetëm disa biznese të vogla që funksionojnë, por edhe ata ankohen se puna gjithnjë është më edhe më e pakët. Pjesa dërmuese e lokaleve janë të mbyllura dhe shihen mbishkrimet “Jepet me qira”, madje pjesa më e madhe e tyre në të kaluarën kanë qenë biznese profitabile, kurse sot janë lënë nën mëshirë të fatit.
“Dikur ka funksionuar shumë mirë kompleksi, tashmë kohëve të fundit nuk ka vizitorë, nuk ka ndriçim publik, nuk ka tualet publik, duhet edhe pak komuna që të shoh se ku janë mangësitë dhe të bëjë investime. Popullata ikën nga komplekset tjera, ndërsa kompleksin ‘Saranda’ e kanë harruar tërësisht, me një fjalë është lënë në mëshirë të fatit”, ankohen pronarët. Kjo qendër e ndërtuar në fillim e viteve 90-ta, qendra e vjetër tregtare “Saranda” në Tetovë po përjeton ditët më të vështira. Kjo qendër tregtare me dhjetëra lokale në fillim shkëlqente, ku të gjitha lokalet dhe bizneset e vogla punonin dhe kishte mjaft vizitorë. E njëjta u bë një pikë referimi për qytetarët e Tetovës dhe më gjerë duke qenë një qendër e vogël, por atraktive dhe e dëshiruar nga të gjithë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, premton se gjatë këtij mandati pritet që kjo qendër të ringjallet.
“Në fakt, ato janë objekte për të cilat është dhënë status privat, domethënë nuk kanë status publik dhe në këtë rast – meqenëse kanë status privat dhe me pronarë privat, është jo shumë e thjeshtë për të filluar që ju të bëni aktivitet atje, mirëpo meqenëse ne tani pas kalimit të Këshillit komunal e dhamë edhe detyrën projektuese për planin gjeneral, në kuadër të planifikimit gjeneral të qytetit normalisht në diskutim me të gjithë pronarët e të gjitha lokaleve atje dëshirojmë të japim disa propozime për rigjallërim të atyre vendeve dhe shpresoj që brenda këtij mandati, do të hasim në mirëkuptim, por edhe në bashkëpunim për t’i bërë edhe ato vende po ashtu të shërbyeshme më të sigurta dhe më efikase për qytetarët”, deklaroi Arifi.
Pas ndërtimit të kompleksit të ri, përkatësisht Qendrës së re Tregtare “Triada” në qendër të Tetovës, ku u hapën me qindra lokale dhe biznese të ndryshme, qendra e vjetër filloi teposhtëzën. “Ato pak biznese që punojnë në këtë qendër kërkojnë që Komuna e Tetovës të mendojë edhe për këtë qendër dhe të rregullojë të paktën parkingun dhe ndriçimin publik. Arsyet janë të shumta që nuk vijnë vizitorët, kushtet nuk janë si më parë, apo siç ka qenë në fillim, tregtarët ikin prej këtu, janë hapur qendra të reja. Fillimisht nuk ka parking të mirëfilltë, që 5 vite tualete publike nuk ka, kushtet janë mizore, duhet komuna të rregullojë parkingun, ndriçimin publik dhe ndoshta klientela e vjetër do të kthehet. Shumë herë janë marrë iniciativa, por kanë dështuar”, thonë pronarë të lokaleve.
Me kalimin e kohës u pakësuan vizitorët, u mbyllën shumë lokale, ndërsa e njëjta gjithnjë e më pak frekuentohej, kurse pronarët e lokaleve dhe ato që ishin me qira u larguan. Ngelën vetëm disa prej tyre, të cilët e mbajtën gjallë këtë kompleks, duke mos patur rrugëdalje tjetër dhe duke punuar sa për të mbijetuar. (koha.mk)