Tani më disa vite, gurët që dikur bluanin drithin e Dibrës dhe fshatrave për rreth, kanë pushuar. Gjurmët e mullinjve mezi vërehen, por ata ekzistojnë bashkë me të kaluarën që e bëjnë të njohur fshatin Banjisht si “fshati i mullinjve”
Vjollca SADIKU
Dibër, 25 janar – Në të kaluarën, Dibra dhe vendbanimet rurale të saj kanë patur mbi dhjetë mullinj. Vetëm në fshatin Banjisht kanë funksionuar nëntë mullinj, ndërsa sot nuk ka mbetur asnjë. Fshati në fjalë faktikisht ka përpunuar grurin dhe misrin e pothuajse gjithë hambarit të Dibrës, prandaj quhet edhe “Fshati i mullinjve të vjetër”. Tani më disa vite, gurët që dikur bluanin drithin e Dibrës dhe fshatrave për rreth, kanë pushuar. Gjurmët e mullinjve mezi vërehen, por ata ekzistojnë bashkë me të kaluarën që e bëjnë të njohur fshatin Banjisht si “fshati i mullinjve”. Kulturat e shumta drithore janë bluar në pjesën më të madhe në këto mullinj. Ka patur edhe disa mullinj të tjerë në fshatrat të rajoneve të Zhupës. Megjithatë, tani teknologjia moderne ka zëvendësuar mullinjtë e ujit apo ato tradicional, siç i quan një pjesë e popullatës.
Buqit dibran, por edhe ata të Zhupës dhe Rekës, sot përdorin mullinjtë elektrik. Të gjithë buqit që kanë sasi më të mëdha të misrit dhe grurit kanë mini-mullinj elektrik shtëpiak. Blegtori Skënder Hame thotë se në të kaluarën, bujqit dibran grurin dhe misrin e kanë bluar në mullinjtë që kanë funksionuar me ujë, respektivisht ata tradicional. Siç ka kaluar koha, mullinjtë tradicional nga viti në vit janë zëvendësuar me mullinj elektrik. Në Dibër dhe rrethinë mini-mullinj elektrik kanë mbi 200 buq, kjo do të thotë se buqit për nevojat e tyre tani kanë teknologjinë që u nevojitet dhe e cila po ashtu realizon një bluarje efektive. “Disa nga buqit të cilët kanë sipërfaqe më të mëdha me misër apo grurë, kanë mullinj të përmasave më të mëdha, por që funksionojnë poashtu me rrymë elektrike”, thotë Skënder Hame. Ai shton se gjatë vitit, buqit dibran në mini-mullinjtë shtëpiak përpunojnë mbi 500 ton misër dhe grurë.
Mullirin më modern elektrik e posedon familja Papraniku në Dibër. Pronari i këtij mulliri elektrik, Abdulla Papraniku, thekson se bëhet fjalë për një teknologji moderne, e cila mundëson prodhimin e miellit të kualitetit më të lartë. Kompania e tij “Babas miell” prodhon disa lloje të miellit që plasohen pastaj në vend dhe jashtë vendit. “Është një kompani e cila nga dita në ditë arrin rezultate shumë të mira meqë interesimi për blerjen e miellit dibran është i madh. Veçmas duhet theksuar faktin se mielli plasohte në pjesën më të madhe në Republikën e Shqipërisë”, tregon Papraniku. Kjo kompani, e cila ka edhe certifikatën për prodhime-bio , që garantojnë shëndet të mirë, ka marrë pjesë edhe në projekte ndërkufitare dhe ka patur prezantime të shumta në panaire. Pronarët thonë se prodhimtaria vjetore është mbi 12 mijë ton miell. (koha.mk)