Kur vjen puna për ndeshjet derbi të Londrës, nuk ka asnjë sulmues më profil se bomberi i Totenhemit, Harri Kin dhe ky është një fakt i pakontestueshëm. Sulmuesi i përfaqësueses së Anglisë vijoi formën e tij fantastike në përballjet e kryeqytetit, teksa shkëlqeu edhe mesditën e të shtunës. 24-vjeçari Kin shënoi dy gola në fitoren e Spars 3-2 ndaj Uest Hem, në “London Stadium”. Gjithsesi, dy-golëshi i tij nuk rezultoi vendimtar vetëm për tre pikët e fitores, por edhe për një rekord personal të sulmuesit. Dygolëshi i shënuar të shtunën ndaj Uest Hem e rendit tashmë Harri Kin mbi legjendën e Arsenal, Tierri Hanri, si sulmuesi më fatalist në shënimin e golave në ndeshjet derbi të Londrës, në historinë e Premier Ligë. Fabula e Kin në përballjet me ekipet e kryeqytetit të Anglisë tashmë është e fiksuar në shifrat: 21 gola në 29 ndeshje. Konkretisht dy golat e realizuar ndaj “Hammers” e çuan mesataren e raportit gol/minuta në ekstremin më të lartë, për të parakaluar kështu francezin Hanri. Me raportin një gol çdo 113 minuta në ndeshjet derbi, Harri Kin është “vrasësi” i Londrës. Gjithsesi, ikona e Arsenal, Hanri vijon të mbajë rekordin për numrin total të golave të shënuar në ndeshjet derbi të Londrës, me 43 të tillë në 59 ndeshje të luajtura. Tashmë Kin do të shpresojë t’i afrohet thyerjes së këtij rekordi kur më datë 5 nëntor Totenhem do të ndeshet me Kristal Pallas në “Wembley”.