Basketbollisti James Harden beson se këtë vit do të duelojë për titull me skuadrën e Houston, pas përforcimeve që teksanët kanë bërë në merkaton e verës. Sezoni i kaluar ishte një sinjal i mirë që skuadra e Rockets ka ngritur ndjeshëm nivelin e këtë vit do të shtojë edhe pretendimet për titull. “Kemi qenë edhe vjet pretendent për titull në Perëndim, ndaj paraqitja e mirë e bërë dhe përforcimet e bëra na japin më shumë besim se mund t’ia dalim mbanë këtë sezon. Asgjë nuk është e pamundur dhe besoj se mund të jemi surpriza e këtij sezoni në NBA”, tha Harden.
Ky mund të jetë sezoni i duhur për “mjekrën” për të arritur disa trofe edhe në nivelin personal, për të marrë atë çmim MVP që ka vite që e ndjek, por që asnjëherë nuk ka mundur ta ngrejë lart. Vjet Harden zhvilloi sezonin më të mirë të karrierës së tij, duke qenë vendimtar në shumë ndeshje, por këtë sezon mund të bëjë hapin e madh. “Unë jam gati të jap kontributin tim, ashtu si gjithnjë. Trofetë në nivelin personal janë të rëndësishëm, por kjo është një lojë skuadre dhe shpresoj që ndihma ime të jetë edhe këtë vit e madhe, për të arritur objektivat”, tha Harden.