Prishtinë, 2 tetor 2018 – Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas kthimit nga Nju-Jorku, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se ka marrë mbështetje nga SHBA-ja për transformimin e Forcave të Sigurisë (FSK) në Forca të Armatosura, gjegjësisht ushtri e Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
“Ushtria është punë e përfunduar”, deklaroi mbrëmë Haradinaj në emisionin “Presing” në televizionin T7, duke shtuar se krahas përfaqësuesve të lartë të Uashingtonit, senatorëve, kongresistëve dhe faktorëve të tjerë amerikanë, për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri i ka informuar të gjithë faktorët e tjerë relevant.
“Asnjë autoritet nuk është i painformuar. E kanë ditur se e bëjmë këtë dhe u informuan në kohë”, deklaroi Haradinaj.
Qëllimi i autoriteteve të Kosovës është ta transformojnë FSK në ushtri, pa e ndryshuar Kushtetutën, kundrejt kërkesave të aleatëve perëndimorë ky transformim të bëhet me ndryshime kushtetuese. Duke e pasur parasysh se për intervenim në Kushtetutë nevojitet edhe shumicë e votave të deputetëve nga bashkësia etnike serbe, ndërsa të cilët janë kategorikisht kundër formimit të forcave ushtarake të Kosovës, Haradinaj me mbështetje të subjekteve të tjera politike të shqiptarëve në vend, vendosi transformimin ta bëjë me ndryshime kushtetuese. Për këtë qëllim para disa jave, Qeveria i dorëzoi Kuvendit propozim për ndryshime të disa ligjeve, me të cilat parashikohet rritje e kompetencave të FSK-së dhe rritje e Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.
Në pyetjen në intervistën e T7 nëse vendimi për tejkalimin e Kushtetutës gjatë formimit të ushtrisë së Kosovës mund të shkaktojë dalje të Listës Serbe nga Qeveria, Haradinaj u përgjigj se partia, e cila paraqet shumicë serbe në Kosovë dhe ka mbështetje të plotë të Beogradit zyrtar “nuk ka nevojë për një gjë të tillë”.