Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia është mobilizuar që ta paraqesë Kosovën si një vend që dëshiron të zgjidhë problemet me arrogancë.
“Serbia është mobilizuar me narrativ të vetin duke e shpjeguar Kosovën si vend që ka dalë prej binarëve të vet, si vend që dëshiron të zgjidhë problemet me arrogancë të caktuar, me mosdëgjueshmëri politike dhe të sigurisë”.
“Për pjesën politike dhe të sigurisë arsyetohet me faktin se Kosova nuk ka përmbushur pjesë të marrvëshjeve të Brukselit, dhe njëkohësisht e shfryëtzon shumë mirë vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”.
Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se Serbia po punon gjithashtu që Kosovën ta paraqesë sikur dëshiron ta krijojë ushtrinë me qëllime të destabilizimit, njofton Klan Kosova.
“Njëkohësisht, Serbia punon intensivisht me diplomatët, mediat dhe lobistët e saj që ta paraqesë Kosovën që me një lloj padëgjueshmërie dëshiron ta krijojë ushtrinë e vet, për qëllime destabilizimi”.
“Sa i përket narrativit të pasigurisë dhe destabilitetit, ne të gjithë mund të kthejmë përgjigje të qartë – askush prej atyre që jeton në Kosovë nuk ka interes për jostabilitet, as qytetarët shumicë, as serbët, as të veriut dhe as të jugut”.
“Të vetmit që ju intereson ndonjë skenar që ta nxjerrin Kosovën të çregulluar nga normaliteti është Beogradi zyrtar dhe po bënë përpjekje që të vijë deri tek mundësia e ndonjë situate të tilë”.
I pari i Qeverisë ka thënë se votimi i pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, që pritet të ndodhë javën e ardhshme, është një proces i brendshëm në përputhje me Kushtetutën.
“Krijimi i Ushtrisë së Kosovës, mandatimi javën që vjen, është proces i brendshëm – vendim sovran i vendit dhe është në përputhje me Kushtetutën që është një nga Kushtetutat më të avancuara në botë për të drejtat e komuniteteve”.
“Është një Kushtetutë që përmban vlerat më të avancuara të një demokracie dhe këtë e kanë konfirmuar të gjithë ata që e kanë përkrahur këtë Kushtetutë”.
Haradinaj është shprehur i bindur se më 14 dhjetor do të votohet pakoja e ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
“Ushtria kalon më 14 dhjetor dhe kalon në një mënyrë të dinjitetshme”.
Madje Haradinaj ka folur edhe për marrëdhëniet me NATO-n, si kundërpërgjigje ndaj asaj që dje ka deklaruar Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg,
Ky i fundit tha që veprimet për transformimin e FSK-së vijnë në një kohë të gabuar dhe se “ky veprim bie në kundërshtim me këshillat e shumicës së aleatëve të NATO-s” duket shtuar se mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e Kosovës në integrimet euro-atlantike.
“Ne kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara, e vërteta është që aleanca e NATO-s ka peshë të madhe në vendimet e veta, ne ato që shpreh për Kosovën por Kosova është e sigurt se nuk do të sjellë në rrezik marrëdhëniet me NATO-n”.
“Ne kemi plotësuar kushtet bazike te sqarimeve për të ecur përpara. Jo vetëm që nuk do të vihet në rrezik marrëdhënia me NATO-n por ne në të ardhmen do të ofrojmë siguri”.
Ai ka thënë gjithashtu se nuk qëndrojnë reagimet se Kosova nuk duhet të ketë ushtrinë e saj, për shkak të mundësisë së pjesëmarrjes në luftërat e huaja, si në Siri.
“E vërteta është se ne kemi ligj kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja, ata që shkojnë atje kanë sanksione ligjore prej Kosovës”.
“Ndërsa sot në listën e pagesave të Serbisë, qoftë si veteranë apo zyrtarë të pensionuar figurojnë shumë njerëz që janë në Ukrainë dhe në Siri, në anën e rusëve”.
“Le ta dijë edhe BE-ja, edhe NATO se e vërteta është kjo – nuk i kanë hequr nga lista e pagesave”.