Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u bëri sot thirrje partive në pozitë dhe opozitë që të jenë unik në përgatitjen e platformës për dialogun me Serbinë, ashtu siç ishin unik në votimin e ligjit për transformimin e Forcave të Sigurisë në ushtrinë e Kosovës, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në seancën e sotme të Kuvendit në të cilën debatohet propozimin e opozitës për rezolutën me të cilën do t’i ndalohet presidentit Hashim Thaçi që të negociojë me Beogradin për territorin e Kosovës, Haradinaj iu drejtua deputetëve me lutje që të vijnë deri te koncensusi për dialogun me Serbinë.
Sipas kryeministrit kosovar, i cili është kundër idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, kompromisi ndërmjet pozitës dhe opozitës për çështjen e dialogut me Serbinë, “padyshim se duhet të arrihet”.
“Është primare për interesin kombëtar, për çështjet me interes të përgjithshëm të shtetit, që të gjejmë gjuhë të përbashkët. Ne nuk kemi opsion tjetër dhe në secilën etapë duhet të gjejmë formula për çështjet me interes kombëtar. Mendoj se njëra nga temat e tilla për të cilën kemi nevojë të bashkohemi është çështja e dialogut me Serbinë”, deklaroi Haradinaj.
Kryeministri kosovar porositi se për çështje të tilla, për marrëveshje ndërkombëtare, nuk mund të vendosë askush tjetër përveç Kuvendit të Kosovës.
“Nuk ka dilema se Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoriteti suprem pa të cilin asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të mbijetojë. Vetëm Kuvendi mund të sjellë vendime të tilla”, tha Haradinaj.
Në Kuvendin e Kosovës vazhdon debati për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me çka ekziston koncensus i përgjithshëm ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës për mospranimin e kurrfarë marrëveshjeje për ndryshim të kufijve.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi nga të gjithë deputetët, e pozitës dhe opozitës, që së bashku të përgatisin rezolutën, të bazuar në atë që ishte propozuar nga opozita, për dialogun me Serbinë.
Debati filloi sot rreth orës 11 me shpjegimin e rezolutës nga ana e shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdulla Hoti, vazhdon edhe pasdite. Kohë pas kohe mund të dëgjohen edhe kualifikime më të rënda, si dhe akuza ndërmjet deputetëve të partive të ndryshme, edhe krahas koncensusit të deklaruar rreth çështjes themelore, e kjo është se askush nuk guxon të negociojë për territorin, sovranitetin dhe kufijtë e Kosovës.