Prishtinë, 30 janar – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot përsëriti se nuk e ka ndërmend ta tërheqë vendimin për taksën prej 100 për qind ndaj importimit nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe shprehu bindje se kjo nuk do të ndikojë në partneritetin me SHBA-në për çka paralajmëron presidenti i shtetit Hashim Thaçi, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, pwrcjellw gazeta KOHA.
Haradinaj në fjalimin e sotëm në komemoracionin me rastin e 22 vjetorit të vdekjes së tre themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, e “përkujtoi” Thaçin se “nuk e ka vrarë mendjen shumë” për opinionin e SHBA-së kur tentonte ta pengonte themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare Speciale për Kosovën.
“Është mirë të jemi të sinqertë me Amerikën dhe Evropën. Kur bëhej fjalë për ne dhe kur kishim frikë nga Specialja, atëherë mundoheshim që ta heqim atë gjykatë. Aspak nuk deshëm të dëgjojmë kur amerikanët na thoshin se jemi duke u ngulur thikë pas shpine. Ndërsa tani kur duhet të luftojmë për njohje na thonë “ndalni se do ta prishim partneritetin me SHBA-në”, deklaroi Haradinaj.
Ai theksoi se “diçka është kërkuar në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia” dhe se ai është i gatshëm ta pezullojë taksën nëse Beogradi e plotëson këtë kërkesë.
“Nuk ia jap më tregun tonë Serbisë, pa e marrë njohjen. Kjo nuk është kundër Amerikës, vetëm duhet t’ua sqarojmë. Kërkojmë njohje. Nuk falim tokë dhe nuk tolerojmë krijimin e Republikës Sërbska brenda Kosovës. Por do t’ua kthejmë tregun në këmbim të njohjes së pavarësisë”, deklaroi Haradinaj.
Mediat e Prishtinës përkujtojnë se, pasi në gusht të vitit 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi ligj me të cilin u formua Gjykata Ndërkombëtare Speciale për krime të supozuara të luftës nga UÇK, Thaçi në dhjetor 2017, me ndihmën e organizatës së veteranëve të luftës tentoi ta pezullojë ligjin, por nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme në Parlament. Nismën e presidentit të Kosovës ashpër e kundërshtoi faktori ndërkombëtar ndërsa para së gjithash Uashingtoni zyrtar.(koha.mk)