Prishtinë, 8 nëntor 2018– Vendimi për taksën ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës dhe Hercegovinës u kritikua edhe nga BE-ja, por kryeministri Ramush Haradinaj thotë se qasja e Serbisë nuk mund të tolerohet deri në pakufi, njofton Koha.net.
“Nuk e kemi marrë këtë vendim as me dëshirë as me arrogancë, as nuk e kemi qëllimin e ndonjë propagande të caktuar. Jemi në zor se Serbia, me të cilën jemi edhe palë në dialog, i cili është edhe kandidat për anëtarësim në BE dhe hap kapituj, kërcënon publikisht edhe praktikisht familje të vendit tonë, të pjesëtarëve të FSK-së serbë, po jo vetëm serbë, kjo duhet me u ndalë, nuk lejohet kështu….Ky kërcënim është kriminal, nuk është as politik, edhe ne s’mundemi pa kufi, pastaj kur i shtojmë kësaj edhe një destruktivitet në planin ndërkombëtar të Ministrit të Jashtëm të Serbisë edhe deklarime të tjera, detyrimisht e kemi marrë këtë veprim, pra nuk është veprim i dëshirës, nuk është veprim i maksimumit, është një masë e parë e cila ka mundësi me u rrit, e cila ka mundësi me kaluar edhe në masa të tjera, por nuk është bë kjo për ndonjë taktizim dhe nuk është e përkohshme. Derisa nuk ndërron qasja, nuk ndërrojmë në këto qëndrime”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj