Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Munih është takuar me Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, shkruan Gazeta Metro, transmeton Gazeta Koha.
Kryeministri ka vlerësuar procesin e antëtarsimit të shtetit fqinj në NATO, derisa ka përgëzuar kryeministrin Zaev për një integrim sa më të shpejtë, që është i dobishëm për paqen dhe sigurinë në rajon.
“Kosova dhe Maqedonia Veriore janë vende që kultivojnë raporte të mira fqinjësore dhe bashkëpunim në të gjitha fushat”, ka theksuar kryeministri Ramush Haradinaj.
Qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë duke punuar në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët ku do të identifikohen të gjitha fushat e interesit të përbashkët për bashkëpunim dhe me qëllim të krijimit të ambientit paqësor dhe stabil për zhvillim dhe ngritje të mirëqenies për qytetarët e vendeve tona.
Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka shprehur angazhimin e tij për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën dhe për të ndërtuar një klimë të paqes dhe mirëkuptimit në rajon.
Përveç kryeministrit, në takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.