Prishtinë, 12 shkurt – Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka thënë se s’ka asnjë sanksion që mund ta detyrojë të heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnja e Hercegovinës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Pas mbledhjes së qeverisë, ai ka komentuar deklarimet e fundit nga SHBA-ja dhe hapat e parë sanksionues pas refuzimit që të hiqet taksa. Ka thënë se “gjuha e presionit ndaj Kosovës nuk kryen punë”, përcjellë KOHA.
Zëdhënësi i ambasadës amerikane në Prishtinë deklaroi për KTV-në se Uashingtoni ka dërguar letër te kryeministri Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, në të cilën kërkohet pezullim i taksës, ndryshe do të vendosen “sanksione të reja”. Përfaqësuesi anonim i ambasadës për televizionin prishtinas ka deklaruar se letra është nënshkruar nga përfaqësues zyrtar të Shtëpisë së bardhë, të Departamentit të shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
“Taksa mund të jetë pakufi, përjetësisht deri kur të zgjidhet problemi Kosovë-Serbi. S’ka sanksion që na detyron të heqim taksën. As nga vendet nacionale as nga organizatat. Duhet të kujtojmë prej ku vijmë. Vijmë nga periudhat më të vështira që i kemi kaluar. Shantazhet e gjykatës nuk e bëjnë dallimin tek ne. S’është gjuha e duhur me Kosovën, forma e presionit. Nuk jep efekt”, ka thënë Haradinaj pas seancës qeveritare.
Paraprakisht, sot kryeministri kosovar u takua me ambasadorin e SHBA-së Filip Kosnet, të cilit, siç informon, gjithashtu i ka përsëritur se taksa do të hiqet kur Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Është qëndrim i qartë i Departamentit të shtetit. Janë unikë. Sugjerojnë që taksa të pezullohet që t’i hapet rrugë dialogut. Është përsërit sot dhe në çdo takim por kemi pas edhe bisedë për shumë tema bilaterale. Qëndrimi ynë është i qartë. Edhe unë dua ta heq taksën krejt dhe Kosova e preferon, por është e lidhur me njohjen nga Serbia. Sugjerimi im është që të mos ndërlidhen temat. Dialogu ka filluar para taksës dhe asnjëherë s’është kushtëzuar dhe s’bën as tash. Arritja e marrëveshjes është në interes të Kosovës. Ajo nënkupton që të zgjidhë çdo gjë të hapur mes dy shteteve”, ka thënë Haradinaj duke shtuar se “Kosovës i ka kushtuar shumë procesi i dialogut qe 20 vjet”.
Për shkak të mospranimit të kërkesës amerikane për heqje të taksës, kryeministrit Haradinaj i ishte refuzuar viza për mëngjes të lutjeve në Uashington, ndërsa këto ditë ishte anuluar edhe vizita e paralajmëruar kohë më parë e gjeneralit amerikan në Prishtinë.(koha.mk)