Prishtinë, 19 mars – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i hodhi poshtë sot të gjithë zërat absurd të Beogradit zyrtar se ai ose dikush tjetër nga kreu i Kosovës qëndron pas protestave në Serbi kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiq, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, pwrcjellw gazeta KOHA.
Haradinaj në konferencën për shtyp në Prishtinë i porositi autoritetet serbe që të mos e përfshijnë atë ose dikë tjetër në problemet e tyre të brendshme.
“Apelojmë deri te autoritetet në Serbi që problemet e tyre të brendshme t’i zgjidhin vetë të na lënë neve që t’i kryejmë punët tona”, deklaroi kryeministri i Kosovës.
Ai iu bëri thirrje krerëve të Bashkimit Evropian që t’ia bëjnë Beogradit të njëjtën kërkesë.
“Në hallet të cilat vet i kemi, aspak nuk na kujtohet Serbia dhe ajo se çka ndodh atje”, deklaroi Haradinaj.
Partia Progresive Serbe (SNS) Vuçiqit dhe aleatëve të tij në pushtet, të cilët u përballën me protestat masive me kërkesën për dorëheqjen e tij, i akuzuan, mes tjerash, Haradinajn dhe liderët tjerë të shqiptarëve të Kosovës se i ndihmojnë protestuesit opozitarë me qëllim që ta rrëzojnë Vuçiqin dhe pushtetin aktual.
Presidenti serb i akuzoi edhe ambasadat e huaja për “standarde të dyfishta”, sepse, sipas tij, nuk kishin reaguar për sulmin e protestuesve në Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) ashtu siç reaguan për ngjarjet në Kuvendin e Shkupit më 27 prill të vitit 2017. Sipas Vuçiqit, në Beograd kishte tentim për realizim të “skenarit maqedonas”, të cilin e kishin zbatuar liderët opozitarë Vuk Jeremiç dhe Dragan Gjilas, të cilët presidenti serb i quan “tajkunë dhe miq” të kryeministrit Zoran Zaev. (koha.mk)