Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka shkuar si mysafir një familjeje serbe të Kosovës që jetojnë në Plemetin të Obiliqit.
Haradinaj ka deklaruar se i ka siguruar nikoqirët se Qeveria do t’u qëndrojë afër dhe do të kujdeset për komunitetet, duke shtuar se masat e marra nga Qeveria nuk i prekin serbët e Kosovës, shkruan gazetametro.net.
“Sot isha mysafir në familjen e Slavisa Jakovljeviq në Plemetin të Obiliqit, të cilën e sigurova se komunitetit serb do t’u qëndrojmë afër gjithmonë dhe do të kujdesemi për mirëqenien e tyre. Masat e ndërmarra nga Qeveria e vendit, nuk do të prekin asnjërin komunitet në vend, për më tepër janë në shërbim të mbrojtjes së të drejtës sonë, për një jetë më të mire”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, Haradinaj këtë vizitë e ka paraqitur si një qasje të Qeverisë së tij rreth multietnicitetit në shtetin kosovar, duke thënë se në kuadër të kësaj ata kanë rritur edhe investimet që prekin komunitetet.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se së bashku me komunitetet në Obiliq kanë nisur asfaltimin e një rruge që e përdorin komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Sot patëm rastin që bashkë me komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet e tjera në Obiliq të nisim edhe një projekt me rëndësi infrastrukturor, asfaltimin e rrugës Sitnica. Ky përkushtim institucional nuk është vetëm sot dhe vetëm në këtë Komunë. Puna dhe përkushtimi ynë do të vazhdojë në secilën pjesë të Kosovës dhe për secilin qytetar të saj, pa dallim etnie dhe pa dallim feje”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, Serbia përmes kontrollimit të strukturave në veri, ka propaganduar për një ‘krizë humanitare’ duke bërë që protestues serbë në atë pjesë të ankohen për mungesë të barnave dhe ushqimeve.