Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare është në duar të sigurta dhe nuk ka rrezik të bisedohet për ndarjen e vendit, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Haradinaj në konferencën e sotme për media pas seancës së Qeverisë shprehi kënaqësinë që fjalën kryesore në zhvillimin e dialogut Prishtinë-Beograd tashmë nuk e ka shefja e diplomacisë të Bashkimit Evropian Federika Mogerini, por këtë rol e ka ndërmarrë Gjermania dhe Franca.
“Rëndësi ka se procesi tani është në duar të sigurta dhe i është marrë zonjës Mogerini, gjë që krijoi stabilitet”, deklaroi kryeministri i Kosovës.
Sipas tij, deklarata e Mogerinit para disa ditëve në Tiranë se në momentin kur do të hiqet taksa prej 100 për qind në eksportin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina atëherë menjëherë do të organizojë takim mes Prishtinës dhe Beogradit, mund të përkthehet si porosi e saj se menjëherë do ta ndajë Kosovën.
“Mogerini e tha në Tiranë hekne taksën se jau ndaj Kosovën menjëherë, a i ra kështu apo jo, dmth e si ta hiqni ju taksën unë e thirri takimin për vazhdim të dialogut. Shyqyr zotit që i kem lexua këto projekte me kohë, taksa nuk hiqet”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai tha se nuk mund të parashikojë si do të zhvillohet procesi i negociatave me Serbinë, por nuk e përjashtoi mundësinë marrëveshja përfundimtare të nënshkruhet në Uashington, siç para disa muajve propozoi presidenti amerikan Donald Tramp në letrat deri te presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
Duke folur për përfshirjen e mundshme të SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi dhe kërkesën e Serbisë për përfshirje edhe të Rusisë, Haradinaj tha se “ne nuk i takojmë botës së Rusisë ne i takojmë botës së Amerikës. Nuk mundet dikush me përjashtua Amerikën prej proceseve në Ballkan e Kosovë”, ka thënë Haradinaj. (koha.mk)