Tiranë, 13 janar – Në një intervistë ekskluzive për “Tempora” në televizionin Ora Njuz, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk i fshehë ambiciet e tij për t’u bërë president i ri i Kosovës. Ai zbuloi pritjet e tij dhe të partisë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.
“Kjo është një situatë e re në vend. Personalisht dhe si AAK kemi ndryshim në qasjen tonë. Në të kaluarën, AAK garoi në zgjedhje me kandidatin e saj për kryeministër, të themi mandatar, të cilin unë kisha nderin të isha dy herë. Por, kësaj radhe nuk po garojmë me mandatues të caktuar, por po garojmë për president, sepse pas këtyre zgjedhjeve, presidenti dhe qeveria zgjidhen në Kuvend. Në këtë rast, AAK-ja e ofron kandidatin për president i cili jam unë, por edhe me program që përqendrohet në ekonomi dhe siguri”, deklaroi Haradinaj.
Ai shton se për shkak të shumicës së kërkuar absolute për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, marrëveshje me partitë e tjera është e nevojshme.
“Pas zgjedhjeve, do të nevojitet një shumicë absolute e dy të tretave në Kuvend për të zgjedhur presidentin. Kjo do të kërkojë marrëveshje me disa subjekte politike. Në këtë rast, fituesi i zgjedhjeve dhe një tjetër, dy partnerë të tjerë”, tha Haradinaj.
Ai pret që partia e tij të sigurojë më shumë se 20 vende deputetësh, gjë që ai thotë se është situatë realiste, pasi ajo kishte 13 vende deputetësh në zgjedhjet e mëparshme.
“Ne kemi një situatë të qëndrueshme dhe punojmë në terren. Risia është se unë nuk jam duke kandiduar për kryeministër në këto zgjedhje, është ndryshim i madh. Deri më tani, kam qenë kandidati i vetëm për president dhe AAK-ja është subjekti i vetëm me një kandidat presidencial”, tha Haradinaj për televizionin Ora Njuz të Shqipërisë.