Prishtinë, 29 janar – Kryeministri i Kosovës në dorëheqje Ramush Haradinaj shpreson se edhe për kontestet në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të gjendet zgjidhje e ngjashme me atë që e propozon presidenti amerikan Donald Tramp për t’u dhënë fund armiqësive në Lindjen e Mesme, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Pas seancës së sotme të Qeverisë, Haradinaj deklaroi para mediave se nuk mund të flitet për zgjidhje të shpejtë të problemit mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh se një marrëveshjen mes të dy shteteve pritet tashmë 20 vjet.
“Nuk mund të jetë kjo zgjidhje e shpejtë, sepse një marrëveshje të tillë e presim 20 vjet. Plani i presidentit Tramp për Izraelin dhe Palestinën na jep shpresa të mëdha se ai mund të vijë me ide konkrete edhe për rajonin ton”, deklaroi Haradinaj, duke shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara për rregullimin e gjendjes edhe në këtë pjesë të Evropës.
Ai shprehi bindjen për sa më shumë çështje të debatojnë Kosova dhe Serbia aq më afër është njohja e ndërsjellë e të dy shteteve.
“Sa më shumë tema që hiqen mes nesh dhe Serbisë, mbetet më pak, ajo më pak është njohja reciproke në kufijtë ekzistues. Shpresoj që të shfrytëzohet kjo kohë që të përgatitet kontrata për njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të vjen edhe dita kur të ndodhë një takim intensiv deri në marrëveshje për njohje që do të ishte edhe interesa i yni”, deklaroi Haradinaj.
I pyetur për negociatat për hapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat zhvillohen me ndërmjetësim të ambasadorit amerikan në Gjermani dhe i dërguar i presidentit Tramp për negociata mes Prishtinës dhe Beogradit, Riçard Grenler, Haradinaj tha se shpreson se “energjia e Grenel do të shfrytëzohet edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Berlini zyrtar”.(koha.mk)