Haradinaj: Palmerit ia bëmë të qartë që nuk pranojmë shkëmbim territoresh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar të tregojë se cilat porosi ua dha zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-së, Mathew Palmer në takimin me krerët e partive politike në vend, por ka theksuar se nuk ndryshon qëndrimet sa i përket marrëveshjes me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se nuk ka të drejtë të zbulojë detaje, por që ka deklaruar se ia ka bërë të qartë Palmerit se janë kundër një marrëveshje e cila bazohet në territore dhe kufij.

“Çka ka thënë z.Palmer unë nuk kam të drejt me fol, është Ambasada e Amerikës thirrini ata iu tregojnë. Çka themi ne i dini qëndrimet tona cilat janë, mirëpo është shumë me rëndësi që ka ardhë z.Palmer në Kosovë, një njëri i rangut të tij, duke e pasur parasysh sa të ngarkuar janë në Amerikë me tema të shumta. Vërtet dëshmon për një vendosmëri të Amerikës me mbet me Kosovën dhe me rajonin. Pra, kjo është porosia kryesore ardhja e tij, për më shumë është Ambasada e Amerikës. Kemi bërë një prononcim atë ditë në një deklaratë, i kemi thënë ato të zakonshmet, pra nuk ka ndonjë ndryshim, nuk ka diçka të re. Mund të kthehem të përsëris vetën po mendoj që në këta 4 muaj nën stop i flasim ato që janë qëndrime të qarta. Po marrëveshje ligjore, obligative për njohje reciproke me Serbinë, jo marrëveshje bazuar as në territor as në kufij. Ato janë vetëm kamuflazh për ndarje të Kosovës, Kosova është ajo e 17 shkurtit edhe po pajtim, jemi të interesuar në pajtim, jemi të interesuar që të mbyllim çështjet e mbetura hapura” tha kryeministri.

Mediat kishin raportuar se Plamer kishte kërkuar nga palët që në mënyrë të drejtpërdrejtë të përcaktohen se nga çfarë janë të gatshëm të heqin dorë për të arritur deri te njohja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton ksp.

Kryeministri i vendit është pyetur edhe rreth kërkesës për një seancë të jashtëzakonshme nga opozita për miratimin e një rezolute që ia ndalon presidentit të flas për kufijtë, e për këtë ai ka thënë se më së miri është që të bëhet e qartë se çka bënë dhe çka nuk bënë sa i përket dialogut.

“Më së miri kish me qenë me pas çka bënë dhe çka nuk bënë. Pra, nëse shkojmë vetëm çka nuk bënë e kemi dëshmuar më çka nuk bënë, qëndrimet janë të qarta të mijat, të Qeverisë dhe mund t’i konsolidojmë këto qëndrime. Por, ne po ashtu duhet ta kemi një formulë çka bënë, çka është mirë me ndodh. Unë mendoj që është mirë që opozita po ashtu me pas një opsion çka bënë. Ka pasur disa rezoluta në Parlament, kjo e fundit është tani, është mirë që edhe opozita të mos shkoj vetëm në atë se çka nuk bënë, ma merr mendja që e kemi definuar çka nuk bënë, që nuk ka të drejt askush me negociua me askënd për territorin, për kufijtë, për Kosovën e 17 shkurtit. Por, çka bënë atëherë, çka mund të bëjmë përpara, unë mendoj që jemi duke u vonuar. Unë mendoj që edhe LDK-ja që është iniciuese e kësaj seance jemi duke u vonuar. Ne vazhdojmë të flasim çka nuk bënë, po nuk jemi duke nxjerrë nj ë opsion dhe realisht po e dobësojmë vetën atëherë në planin e jashtëm”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se është mirë të votohet rezoluta, mirëpo sipas tij edhe rezolutat e mëhershme e kanë potencuar se askush nuk ka të drejtë të flas për kufijtë dhe për territorin.

“Presidenti megjithatë është president i vendit, i zgjedhur, nuk mundesh me ia ndalua presidentit me u ul me një president tjetër, për shembull nëse presidenti Makron i thirr presidentët e vendeve është më mirë për Kosovën që me qenë presidenti i Kosovës a jo. Edhe parlamenti ta merr një pronësi që i takon për dialogun duke e votuar një delegacion. Jam i sigurt se në këtë total të punëve, detyrave, atëherë nuk ka mundësi dikush ta befasoj Kosovën me ndonjë marrëveshje për kufij apo për territorin”, u shpreh ai.