Prishtinë, 30 shtator – Qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen lidhur me marrëveshjen e mundshme me Serbinë, pasi nuk do të ketë lëvizje të kufirit apo territorit, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencë për media pas kthimit nga SHBA-ja. Haradinaj tha se Kosova e ka bekimin e Amerikës, Departamentit të Mbrojtjes për ushtrinë e Kosovës dhe ky është lajmi më i mirë që e sjellin kësaj radhe nga Amerika. “Të gjithë kanë shprehur pikëpamjen se një marrëveshje e obligueshme për njohje me Serbinë është i nevojshme dhe Kosova mbetet në dialog por jo përmes lëvizjes së kufijve apo territorit. Ju siguroj që nuk keni arsyeje të shqetësoheni pasi ata nuk kanë sugjeruar si të vijmë deri të marrëveshja me Serbinë, pra ata nuk kanë sugjeruar lëvizjen e kufijve apo shkëmbimin e territoreve“, tha ai.
Haradinaj i pyetur të komentojë edhe reagimin e liderit të listës serbe, Goran Rakiq, pas vizitës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në veri, tha se duhet të shkojë prapë, në çdo cep të Kosovës. “Ujmani është i të gjithëve që jetojnë në Kosovë, i shqiptarëve, serbëve, të gjitha komuniteteve. Edhe presidenti është i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pra ka shkuar në veri, duhet të shkojë prapë, në çdo cep të Kosovës. Pra është Kosovë edhe veriu edhe jugu”, tha Haradinaj. Përndryshe, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit kryetari i Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiç, tha se nëse KFOR-i nuk arrin t’i mbrojë serbët, atëherë shteti serb duhet t’i mbrojë ata dhe pronat e tyre.