Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se nuk ka njohuri për një draft-marrëveshje të mundshme në Samitin e Berlinit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjellë KOHA.
“Nuk kemi informata të tilla, edhe nuk e dimë që do të ketë. Sido që të jetë po e them edhe njëherë që unë nuk jam i mandatuar për të negociuar marrëveshje me Serbinë sepse Parlamenti i Kosovës ka mandatu delegacionin shtetëror, platformën”, tha ai sot në hollin e Kuvendit.
Kreu i ekzekutivit tha se nuk e sheh veten në rolin e negociuesit në raport me Serbinë. “Nuk e shoh rolin tim si negociues në tavolinë, përfaqësojmë Kosovën në tavolinë në një samit të rëndësishëm që kryesohet nga dy udhëheqësit më të rëndësishëm të BE-së dhe do të jemi atje”, shtoi Haradinaj.
Edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një shkrimi në Facebook ka mohuar zërat se në samitin e Berlinit do të ketë një agjendë të fshehtë në lidhje me propozimin e ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, ka shkruar Thaçi. (koha.mk)