Prishtinë, 21 qershor – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj porositi se angazhimet e disa aktorëve të caktuar, persona zyrtarë dhe biznesmenë serbë në Mitrovicën e Veriut, të koordinuara me Beogradin zyrtar me qëllim që të shfaqet katastrofa humanitare në atë pjesë të Kosovës, janë të papranueshme dhe të ndëshkueshme, transmeton KOHA.
Haradinaj në faqen e tij në Fejsbuk shkroi se Qeveria e Kosovës është e njoftuar me planin për zbrazjen e dyqaneve me ushqime për jetë në vendet e banuara me popullatë me shumicë serbe dhe porositi se këtë nuk do ta shikojë “me duar kryq”.
“Informacionet që i kemi tregojnë se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq-Cojo, Sllavisha Staniq, Radule Steviq. Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, zbatimin e planit, me logjistikë dhe në mënyra të tjera, do ta ndihmojë edhe organizata e ashtuquajtur “Mbrojtje civile” në veri, të cilën e udhëheq Stevo Paviqeviq. Ne nuk do të qëndrojmë me duar kryq kundrejt këtyre tendencave për destabilizim dhe u bëjmë thirrje kryetarëve të komunave në veri, dhe qytetarëve të mos jenë viktima të këtyre provokimeve”, shkroi Haradinaj.
Paraprakisht sot, agjencia e lajmeve KosovaPress publikoi një plan të autoriteteve të Serbisë për shkaktimin e katastrofës humanitare në rajonet në Kosovën e Veriut me qëllim që të shkaktojnë trazira dhe destabilizim të vendit.
Duke iu referuar burimeve të veta të besueshme, agjencia publikoi se për realizimin e planit të mërkurën është mbajtur takim urgjent në hotelin “Grej” në Mitrovicën e Veriut, në të cilin kanë marrë pjesë kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave, disa biznesmenë të shquar të këtij rajoni, përfaqësues të institucioneve ilegale, si edhe një funksionar i lartë në Qeverinë e Serbisë, me ç’rast, siç thuhet, “është përgatitur plani për katastrofë humanitare në Veri të Kosovës”.
Për zbatimin e planit, sipas KosovaPress janë angazhuar personat të cilët i ka përmendur Haradinaj dhe “persona të tjerë të besueshëm të shefit të nëntokës kriminele në këtë pjesë, Millan Radojçiq” si edhe organizata ilegale “Mbrojtja Civile”.