Në ditën e fundit të fushatës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar partitë politike për fushatën e rregullt të zhvilluar derisa bëri lutje që të dielën të gjithë “t’ia zbardhim fytyrën Kosovës”. “Mos harroni që nga procesi i rregullt zgjedhor varet liberalizimi i vizave dhe integrimi ”, ka thënë Haradinaj. Zgjedhjet komunale në Kosovë janë të dielën, më 22 tetor. Ndërsa, sot në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Haradinaj gjithashtu ka bërë të ditur se javën e ardhme për një vizitë në Kosovë do të arrijë përfaqësuesi i Këshillit të NATO’s, ndërsa muajin e ardhëm për vizitë në vendin tonë do të arrijë edhe kongresisti amerikan, Eliot Engel.