Prishtinë, 26 janar – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka potencuar edhe njëherë se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, transmeton koha.mk
“Kur në Beograd thonë ‘nikada’, i bie ‘kurrë, kurrë s’iu njohim’, ne nuk mundemi ne me përdorë fjalë tjetër. Nëse ai thotë kurrë nuk të njoh, çka të themi ne në Kosovë? Edhe ne mund t’i themi epo kurrë nuk e heqim taksën. Pse po e them këtë? Kini parasysh, është treg i rëndësishëm Kosova. Kur e kemi vendosë taksën kanë bërë hajgare me ne. Njohja është vlera e heqjes së taksës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se me këtë qeverisje Kosova është disa hapa përpara kundërshtarëve të saj. Sipas tij, Kosova është bërë vend me të cilin po konsultohen edhe ndërkombëtarët.
“Kosova po ndërmerr veprime me të cilat po i prin proceseve të veta, e përmes së cilave po e forcon pozicionin politik. Si dëshmi se jemi disa hapa përpara, iu marr vetë vizitën e Komisarit Han, ditën kur në Beograd ishte Vladimir Putin, ai (Hah) po të njëjtën ditë erdhi në Prishtinë, në mbrëmje, kishim një takim bashkë dhe u kthye për në Bruksel. Pse po e flas këtë? Se kemi arritur që në rajonin tonë nga një vend që ishte bukur i nëpërkëmbur e i lënë, kemi arritur të kthehemi në një adresë që duhet të shkohet e t’ia marrësh mendimin”, ka thënë Haradinaj.