Prishtina, 19 nëntor – Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se vendi i tij nuk duhet ta pranojë formimin e të ashtuquajturit mini-Shengen, për të cilin premtuan kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama si dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, sepse kjo do të nënkuptojë “përhapjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan”, njoftoi gazeta KOHA.
Sipas Haradinajit, formimi i një zone të tillë në rajonin e Ballkanit është në kundërshtim me interesat e Kosovës, por edhe të Evropës.
“Mini-Shengeni, për të cilin na bënë thirrje Vuçiçi, Rama dhe Zaevi është vetëm përhapje e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan. Kjo nuk është në interes të Kosovës e as të Evropës. Rusia dhe Kina janë të instaluara në Beograd në të gjitha aspektet. Kur ne t’i pranojmë këto rregulla, automatikisht ky ndikim përhapet nëpër vendet tona. Ndërsa a është në interesin e Kosovës që ky ndikim të përhapet në Kosovë? Jo! Padyshim që nuk është në interesin tonë”, deklaroi Haredinaj pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Lorenco Guerini.
Mysafiri nga Italia, Guerini, u prit sot pasdite nga ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës, pasi sot në Prishtinë mori pjesë në dorëzimin e komandës të forcave paqeruajtëse KFOR, ku gjenerali italian Lorenco D’Adario ia dorëzoi udhëheqjen e misionit ndërkombëtar bashkatdhetarit të tij, gjeneral-majorit, Mikele Risi.(koha.mk)