Kryeministri Ramush Haradinaj e ka liruar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq.
Ky vendim i Haradinajt erdhi pasi Mikiq kishte deklaruar gjatë ditës së djeshme se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid i planifikuar ndaj shtetit dhe popullit serb, njofton Klan Kosova.
Shefi i Qeverisë ka deklaruar se individët që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike nuk kanë vend në institucionet e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave”.
“Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”, kishte shkruar ndër të tjera zëvendësministrja serbe në Qeverinë e Kosovës.