Policia e Kosovës ka shënuar sot 20-vjetorin e themelimit, me ç’rast ka mbajtur një ceremoni ku kanë marrë pjesë zyrtarë institucionalë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për nevojën që Policia e Kosovës t’i bashkohet INTERPOL-it.
Ai ka thënë se bashkimi i Kosovës në këtë organizatë, përbën përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe sipas tij, kushdo që e pengon këtë gjë e ndihmon krimin brenda dhe jashtë vendit.
“Policia jonë me qenë pjesë e INTERPOL-it për me luftu krimin transnacional. Me pengu anëtarësimin e Kosovës në anëtarësimin, i bie me ndihmu krimin”, ka thënë Haradinaj, përcjell ksp.
Haradinaj ka falënderuar edhe institucionet amerikane për bashkëpunimin e mirë me Policinë e Kosovës.
“Institucionet partnere të SHBA-së, ju falënderoj për bashkëpunimin. Policia e ruan jetën e njerëzve të këtij vendi. Muj me thanë që njerëzit e Kosovës janë me fat që ju kanë ju”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë që ta përkrahë zhvillimin dhe rritjen e Policisë së Kosovës.