Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si duket nuk e ka marrë për bazë këshillën e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili e ka ftuar dje për korrigjim të deklaratave të ditëve më parë se ideja për korrigjim kufijsh “ka vdekur”.
Haradinaj, në një konferencë për media të mbajtur menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, ka mohuar se deklaratat e kohëve të fundit kanë karakter personal mes tij dhe presidentit Thaçi.
“Unë nuk e kam me të. E kam me temat. E dini se çka kemi heq për demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë ai, raporton KsP.
E si duket deklaratat e djeshme të presidentit nuk e kanë lëkundur aspak Haradinajn, pasi që tha se ata që e rrëzojnë njëmend qeverinë nuk flasin, vetëm e bëjnë këtë.
“Kush e ka nijet ta rrëzojë Qeverinë, nuk flet. Çështja e korrigjimit të kufirit ka vdekur. E vetmja mënyrë të mbahet gjallë është përmes ndonjë skenari të dhunës”, është shprehur ai.
Për Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, Haradinaj mohoi të ketë bërë një premtim të tillë, teksa shtoi se ky i fundit do të bëhet vetëm ashtu siç thotë Kushtetuta.
E sa i përket deklaratave të fundit mbi atë se AKI-ja ka dërguar informata të rreme në Gjykatën e Hagës, kryeministri tha se roli i saj është shumë i rëndësishëm për sigurinë e vendit dhe si e tillë, nuk duhet të lëshohet fare në deklarata të tilla duke u marrë me to.