Prishtinë, 4 janar – Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një intervistë për “Indeksonline”, ka folur për Francën, udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, problemin me energjinë elektrike, rritjen e shumëpërfolur të pagave, numrin e madh të kryeministrave, demarkacionin etj.
“Ka qenë i habitshëm arrestimi im në Francë, isha në dijeni që kam urdhërarrest apo ndalesë por s’kam pritur ta respektojë Franca. Nuk i frikësohem më arrestimeve, unë nuk jam ndaluar as në të kaluarën dhe as nuk do të ndalem”, ka thënë Haradinaj.
Në intervistë Haradinaj ka folur edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët hodhën gaz lotsjellës në sallën e seancave plenare, duke thënë se është kundër përndjekjes së tyre, kur dihet se ata kanë bërë një gjë të tillë në të mirë të vendit.
Sa i përket kërkesës së disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, shefi i ekzekutivit ka thënë se nëse ky ligj sillet prapë në Kuvend dhe shfuqizohet, atëherë ai do ta respektojë, pasi që sipas tij, Kosova nuk mund t’i ikë drejtësisë, pavarësisht se kjo nismë ka dëmtuar raportet me miqtë ndërkombëtarë.
Siç përkujton MIA, Departamenti i Shtetit Amerikan u ka kërkuar liderëve kosovarë të mos zhbëjnë ligjin që themeloi specialen.
Departamenti i Shtetit në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja, Heather Nauert shprehu shqetësimin rreth nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të nënshkruar nga një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në Republikën e Kosovës që të ruajnë përkushtimin e tyre për punën e Dhomave dhe të lënë të pandryshuara autoritetet dhe juridiksionin e gjykatës”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.