Haradinaj: Hapja e çështjes së kufijve është agjendë e Putinit, Kosova nuk do të japë territor
Prishtinë, 26 shkurt – Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj thotë se pajtohet se në negociatat me Serbinë duhet të arrihet marrëveshje për njohje të ndërsjellë, mirëpo se Kosova nuk do të pranojë ndryshim të kufijve dhe ndarje të vendit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, përcjellë gazeta KOHA.
Pas seancës së sotme në Qeveri, Haradinaj deklaroi para gazetarëve se “hapja e çështjes së kufijve është agjendë e Rusisë dhe presidentit rus Vlladimir Putin për të mbajtur të hapur çështjen e Ballkanit”.
“Hapja e çështjes së kufijve nuk është temë e thjeshtë, por do të thotë hapje e krizave dhe tragjedive”, deklaroi Haradinaj.
Ai e përsëriti qëndrimin e Qeverisë se dialogu me Beogradin duhet të vazhdojë, por taksa prej 100 për qind ndaj importit nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk do të hiqet “derisa gjendet në tavolinë marrëveshja për njohje të ndërsjellë”.
“Me rëndësi është që dialogu të vazhdojë. Sa i përket taksës, nuk ka ndonjë ndryshim, e dini qëndrimin tim. Shpresoj që sa më shpejtë do të vijë dita që ajo të hiqet”, deklaroi Haradinaj.
Kërkesat e faktorit ndërkombëtar për heqjen e taksave, sipas kryeministrit kosovar, janë të papranueshme, për shkak se nuk marrin parasysh specifika të caktuara.
“Ka dy momente që mungojnë në kërkesë: marrëveshja për atë që do të dakordohen Kosova dhe Serbia, si dhe aspekti kohor. Serbia i shkakton dëme Kosovës. Ne jemi për kthim të dialogut, jemi për marrëveshje reciproke Kosovë-Serbi, por jo për marrëveshje që do të bazohet në çështjen e kufijve dhe territorit, për shkak se kjo do të thotë hapje të krizave dhe tragjedive”, deklaroi Haradinaj.(koha.mk)