Prishtinë, 6 dhjetor – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që tha se Kaçaniku është fshat serb i mbushur me pjesëtarë të ISIS-it.
“Po i dëgjoj deklarimet e zyrtarëve serb, që po thonë se Kosova veç është në disa vende ku ka konflikte duke aluduar në luftëtarë që kanë shkuar në luftëra të huaja, pra xhihadist. E vërteta është që Kosova është prej vendeve të rralla në botë që ka një Ligj dedikuar eksplicit kundër pjesëmarrjes së shtetasve të vet në luftëra të huaja dhe i ndjek penalisht dhe ata që kthehen janë objekt të ligjit. Ndërsa, dallimi i Serbisë me ne është kështu: ata i kanë në lista të pagesave sot e kësaj dite, qoftë si të pensionuar para kohe, ose të pensionuar, qoftë si veteranë ose të tjerë, ata janë mercenarë sot krahë për krahë më rusët në Ukrainë dhe në Siri kundër krejt perëndimit dhe paqes”, ka shkruar në Fejsbuk, kryeministri Haradinaj, njofton Gazeta Ekspres.
Sipas tij institucionet e Kosovës janë krahas institucioneve euroatlantike në vendosje të paqes.
Haradinaj gjithashtu ka shkruar se nëse Serbia do të dëshironte luftim të krimit do ta përkrahte anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke përfunduar se nuk rrezikohet askush për shkak të taksës.