Prishtinë, 15 tetor – Kabineti i kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, njoftoi se sot ai ka kërkuar prolongimin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, për pranimin e Kosovës në organizatën botërore të policisë.
Përmes një letre dërguar në Asamblenë e Përgjithshme, e cila sesionin vjetor e zhvillon në kryeqytetin e Kilit, Santiago, kryeministri në dorëheqje Haradinaj, kërkoi për shkak të “rrethanave të reja”, respektivisht për shkak të zgjedhjeve të cilat u realizuan në Kosovë javën e kaluar, këtë vit të mos votohet për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.
“Duke i pasur parasysh rrethanat e reja dhe kompetencat si ushtrues i detyrës kryeministër, sot kërkova prolongimin e votimit për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Haradinajt.
Ky njoftim i Qeverisë në Prishtinë vijon pasi që disa media në Serbi publikuan letër me të cilën Haradinaj heq dorë nga kërkesa për anëtarësim në INTERPOL.
“Meqë në Kosovë me 6 tetor u realizuan zgjedhjet parlamentare, me respekt Ju lutëmi që aplikacionin tonë për anëtarësim ta prolongoni për seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOLIT”, thuhet në letër.
Në dy Asambletë e Përgjithshme të kaluara, në Pekin dy vite më parë dhe në Dubai vitin e kaluar, Kosova ka tentime të pasuksesshme të anëtarësimit në këtë organizatë.
Fushata agresive e Beogradi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, mes të tjerash ishte njëra prej arsyeve kryesore për të cilën Qeveria e Haradinajt në nëntor të vitit të kaluar e vendosi taksën 100 për qind për importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.(koha.mk)